Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 12

II. KODI DEUTERONOMIK, Vendi i kultit hyjnor, etj.

31 vargje

II. KODI DEUTERONOMIK

1»Këto janë ligjet e rregullat, që duhet t’i zbatoni në tokën që Zoti, Hyji i etërve të tu, ka për të ta dhënë për pronë për të gjitha ditët që do të jetosh mbi tokë.

Vendi i kultit hyjnor

2»Rrafshoni të gjitha vendet, në të cilat popujt që do t’i pushtoni, i kanë nderuar hyjnitë e veta, qoftë mbi male të larta, në kodra e nën lëndë të gjelbra.

3Rrënoni lterët e tyre, thyeni gurëngulurit, digjni në zjarr banirët, copëtoni idhujt, zhbini emrat e tyre nga ato vende!

4Për Zotin, Hyjin tuaj, mos bëni si bëjnë ata,

5por kërkojeni atë në banesën e tij, në atë vend që Zoti, Hyji juaj, ka për ta zgjedhur midis të gjitha fiseve tuaja për ta vendosur Emrin e vet; atje shkoni

6dhe paraqitni flitë e shkrumbimit e theroret tuaja, të dhjetat dhe ndihmesat e duarve tuaja, kushtet e dhuratat, të parëlindurit e gjedhëve e të bagëtive të imëta.

7Aty, në praninë e Zotit, Hyjit tuaj, hani e gëzohuni ju e familjet tuaja për të gjitha veprat e duarve tuaja, në të cilat do t’ju ketë bekuar Zoti, Hyji juaj.

8Nuk do të bëni as kështu si bëjmë ne sot këtu, ku secili bën si i duket drejt,

9sepse ende deri në kohën e tashme nuk keni arritur në vendin e Pushimit e në trashëgimin që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë.

10Do të kaloni përtej Jordanit e do të ngulni në tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë për pronë, që t’ju lënë në qetësi të gjithë armiqtë tuaj përreth e të banoni pa kurrfarë frike.

11Atëherë, në vendin që Zoti, Hyji juaj, do ta zgjedhë për banim të Emrit të tij, atje do t’i bini të gjitha ato që unë ju urdhëroj: flitë e shkrumbimit, flitë e tjera tuajat, të dhjetat, ndihmesat e duarve tuaja, dhe të gjitha dhuratat e zgjedhura që t’ia kushtoni Zotit.

12Aty do të gëzoheni në praninë e Zotit, Hyjit tuaj, ju, bijtë e bijat tuaja, shërbëtorët e shërbëtoret tuaja edhe leviti, që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka pronë as pjesë në mesin tuaj.«

Përcaktime lidhur me fli

13»Ruaj se i kushton flitë e tua të shkrumbimit në çfarëdo vendi që të duket,

14por vetëm në atë vend që Zoti ta ketë zgjedhur në njërën ndër fiset e tua, aty kushtoji flitë e tua të shkrumbimit dhe bëj gjithçka të urdhëroj unë.

15Por, kurdo të të pëlqejë të hash mish, prej e ha mish me bekimin e Zotit, Hyjit tënd, që ta ketë dhënë, në çdo qytet tënd. Mund të hajë i papastri dhe i pastri asi mishi siç hahet mishi i sutës dhe i kaprollit,

16me përjashtim të gjakut; atë derdhe si ujin në tokë.

17Por në qytetet e tua nuk guxon të hash të dhjetat e drithit, të verës e të vajit tënd, të përlindurit e bagëtive të tua të trasha e të imëta dhe asgjë prej atyre që i kushton as flitë vullnetare, as ndihmesat e duarve të tua:

18por ata haji në praninë e Zotit, Hyjit tënd, në atë vend që ta ketë zgjedhur Zoti, Hyji yt, haji ti e biri yt e bija jote, skllavi yt e skllavja jote dhe leviti që jeton në qytetin tënd; e do të gëzohesh në praninë e Zotit, Hyjit tënd, për gjithçka të ketë ndërmarrë dora jote.

19Ruaj se nuk kujdesesh për levitin gjatë gjithë kohës sa të jetosh në tokën tënde.

20E kur t’i ketë zgjeruar Zoti, Hyji yt, kufijtë e tu, sikurse të ka thënë, e të kesh dëshirë të hash mish sipas ëndjes së zemrës sate, ha mish sa të dëshirojë zemra jote.

21Nëse vendi që e ka zgjedhur Zoti, Hyji yt, për të banuar Emri i tij, është larg, prej bagëtive të tua, të trasha ose të imëta, prej çfarë të ketë dhënë Zoti - siç të kam urdhëruar - e ha në qytetet e tua sipas dëshirës sate.

22Haje po ashtu siç hahet mishi i sutës dhe i kaprollit; le të hanë i pastri e i papastri së bashku.

23Porse ruaju të mos e hash gjakun; sepse gjaku është jeta e tyre dhe prandaj bashkë me mish nuk bën ta hash edhe shpirtin.

24Mos e ha, por derdhe në tokë si ujët.

25Mos e ha që të jesh mirë ti e bijtë e tu pas teje, pasi bën mirë para syve të Zotit.

26Kurse gjërat që t’i kesh shuguruar ose t’ia kesh kushtuar Zotit, merri e eja në atë vend që ta ketë zgjedhur Zoti,

27dhe kushtoji flitë e tua të shkrumbimit, mishin e gjakun përmbi lterin e Zotit, Hyjit tënd; gjaku i theroreve të tua le të derdhet mbi lter, kurse mishin haje vetë.

28Mbaji e dëgjoji të gjitha që po t’i urdhëroj, e do të jesh i lumtur ti e bijtë e tu pas teje përgjithmonë, nëse do të bësh ç’është e mirë dhe e pëlqyeshme para syve të Zotit, Hyjit tënd.«

Kundër kultit të kananenjve

29»Kur Zoti, Hyji yt, t’i ketë shpërndarë para fytyrës sate popujt te të cilët do të shkosh për t’i bërë pronë, pasi t’i kesh bërë pronë e të banosh në tokën e tyre,

30ruhu se bie në leqet e tyre, pasi të jenë shpartalluar ata me hyrjen tënde, e i kërkon mënyrat si i kanë nderuar idhujt e thua: ‘Siç i nderuan zotat e tyre këta popuj, po ashtu do t’i nderoj edhe vetë.’

31Mos u sill në mënyrë të ngjashme me Zotin, Hyjin tënd! Ata bënë të gjitha poshtërsitë që i neveriten Zotit, Hyjit tënd, saqë hyjnive të tyre u dogjën si fli deri edhe bijtë e bijat e veta!