Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 7

Izraeli popull i veçuar për Zotin, Zgjedhja dhe përkrahja hyjnore, etj.

26 vargje

Izraeli popull i veçuar për Zotin

1»E kur Zoti, Hyji yt, të të ketë futur në tokën që do të hysh për ta pushtuar dhe kur të ketë dëbuar para teje kombe të shumta: hetenjtë, gergezenjtë, amorrenjtë, kananenjtë, ferisenjtë, hevenjtë e jebusenjtë, shtatë kombe shumë të mëdha në numër e më të forta se ti,

2e t’i ketë dorëzuar ty Zoti, Hyji yt, goditi deri në shfarosje. Mos bëj godi me ta dhe mos ki mëshirë për ta.

3Mos lidh me ta martesë: vajzë tënden mos u jep bijve të tyre, dhe vajzë të tyren mos e merr për djalin tënd,

4sepse ajo do ta ngashnjejë djalin tënd të mos më ndjekë mua, por t’u shërbejë hyjnive të huaja, e atëherë do të ndizet flakë felgrimi i Zotit kundër jush dhe shpejt do të të qesë fare.

5Por përkundrazi me ta veproni kështu: lterët e tyre rrënoni, copëtoni gurngulurit dhe trupat e shenjtë të tyre, lëndët e shenjta pritni e digjni idhujt.

6Sepse ti je popull i kushtuar Zotit, Hyjit tënd; e njëmend, prej të gjithë popujve që janë përmbi tokë, Zoti, Hyji yt, ty të ka zgjedhur të jesh për të popull që veçanërisht i përket.«

Zgjedhja dhe përkrahja hyjnore

7»Arsyeja që Zoti ju ka për zemër dhe ju ka zgjedhur, nuk është pse ju ua kaloni të gjithë popujve të tjerë për nga numri; jo, pasi ju jeni më të paktë se të gjithë popujt e tjerë;

8Por pse Zoti ju do dhe pse e mban përbetimin që u bëri etërve tuaj. Kjo qe arsyeja që ju nxori me dorë të fuqishme dhe të shpëtoi prej shtëpisë së skllavërisë, prej dorës së faraonit, mbretit të Egjiptit.

9Prandaj, dije se Zoti, Hyji yt, është Hyj i vërtetë. Ai është Hyj besnik që e mban Besëlidhjen e vet dhe që i mëshiron ata që e duan dhe që i zbatojnë urdhërimet e tija në mijëra brezni.

10E atyre që e urrejnë, ua kthen drejtpërsëdrejti mu atyre e s’do të vonojë më t’ua kthejë mu atyre atë që meritojnë: i bën të zhduken.

11Ti, pra, ruaji urdhërimet e tija, ligjet dhe rregulloret, që unë po të urdhëroj sot t’i zbatosh.

12Nëse ju do t’i dëgjoni këto urdhërime dhe do t’i vini në zbatim e do t’i mbani, edhe Zoti, Hyji yt, do ta ruajë Besëlidhjen e vet dhe mëshirën të cilën ua premtoi me përbetim etërve të tu.

13Ai do të të duajë, do të të bekojë. Do të të shtojë. Do ta bekojë frytin e tokës sate: drithin tënd, verën tënde, vajin tënd, pjellën e gjedhit tënd, shtimin e deleve të tua përmbi tokë për të cilin iu përbetua etërve të tu se do të ta japë ty.

14Do të jesh më i bekuar se të gjithë popujt. S’do të jetë beronjë as grua as burrë, as shterpë ndër bagëtitë tuaja.

15Prej teje Zoti do të largojë çdo sëmundje. Mbi ty nuk do të çojë asnjë prej të këqijave të tmerrshme të Egjiptit që ti i di, por do t’ua çojë armiqve të tu.

16Do t’i përpish të gjithë popujt që do të t’i lëshojë në dorë Zoti, Hyji yt. Mos ki mëshirë për ta dhe ruaj se u shërben hyjnive të tyre, sepse ajo gjë do të të rrënonte ty.«

Fuqia hyjnore

17»Nëse të shkon ndër mend të thuash: ‘Këta popuj janë më të shumtë se unë, si do të mund t’i pushtoj?’,

18mos i druaj, por të të bjerë ndër mend se çfarë i bëri Zoti, Hyji yt, faraonit e mbarë egjiptianëve:

19të vështirat e tmerrshme, që i panë sytë e tu, shenjat e mrekullitë, dora e fuqishme dhe krahu i shtrirë i Zotit, Hyjit tënd, kur të nxori nga Egjipti. Kështu do t’ua bëjë të gjithë popujve që tani i ke frikë.

20Për më tepër Zoti, Hyji yt, do të dërgojë kundër tyre edhe grethat derisa të mos i zhbijë e t’i zhdukë edhe ata që do të mund të të ikin ty e të fshihen.

21Mos i druaj, sepse Zoti, Hyji yt, është në mesin tënd, Hyj i madh e i tmerrshëm.

22ai do t’i shuajë këto kombe para syve të tu pak nga pak e pjesë-pjesë. Mos i zhbij ato menjëherë që të mos shumohen kundër teje egërsirat e pyllit.

23Zoti, Hyji yt, do të t’i dorëzojë ty dhe do t’ua fusë frikën prej teje në palcë derisa të zhbihen krejtësisht.

24Në duar të tua do të dorëzohen mbretërit e tyre dhe do t’i zhdukësh emrat e tyre nën qiell: asnjë nuk do të mund të të qëndrojë ty përballë dhe të gjithëve do t’ua tretësh farën.

25Digji në zjarr idhujt e tyre! Mos i lakmo arit e argjendit me të cilin janë të veshur: mos merr asgjë prej tyre për vete, që të mos ngashnjehesh prej tyre, sepse janë ndyrësi për Zotin, Hyjin tënd.

26Mos shtjer ndyrësi në shtëpinë tënde që të mos jesh edhe ti i ngarkuar me »mallkim« siç janë ata. Përbuzi nga fundi i zemrës e mbaji për të fëlliqur e të ndytë, sepse janë të ngarkuar me »mallkim.«