Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 6

Thirrje për besnikëri

25 vargje

1Këto janë urdhërimet, ligjet e rregulloret që Zoti, Hyji juaj, më urdhëroi t’jua mësoj që t’i zbatoni në vendin që po kaloni për ta bërë pronë,

2me qëllim që ta druash Zotin, Hyjin tënd, e t’i zbatosh të gjitha urdhërimet e ligjet e tija që po t’i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate, që të jesh jetëgjatë.

3Dëgjo, o Izrael, mbaj e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu.

4Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm!

5Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!

6Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde!

7Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar; kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihësh nga shtroja.

8Lidhi në dorën tënde si shenjë dhe le të jenë si vjerrës ndërmjet syve të tu!

9Shkruaji mbi ballëzinat e dyerve të tua dhe në dyer të tua!

10E kur Zoti, Hyji yt, të të shtjerë në tokën për të cilën iu përbetua etërve të tu - Abrahamit, Izakut e Jakobit se do të ta japë ty, - në qytete të mëdha e të mira që t’i nuk i ndërtove,

11në shtëpi plot me një mijë të mira që t’i nuk i solle; cisternat që t’i nuk i çele, vreshtat e ullishtat që ti nuk i mbolle, kur të hash e të ngopesh,

12vërja mirë mendjen të mos e harrosh Zotin që të nxori nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë:

13druaje Zotin, Hyjin tënd, vetëm atij shërbeji dhe përbetohu në emër të tij!«

Thirrje për besnikëri

14»Mos shkoni pas hyjnive të huaja, pas hyjnive të popujve që janë përreth jush,

15sepse Zoti, Hyji yt, që është në mesin tënd, është Hyj ziliqar; që të mos ndizet felgrimi i Zotit, Hyjit tënd, kundër teje e të të shfarosë prej faqes së dheut.

16Mos e vini në provë Zotin, Hyjin tuaj, sikurse e vutë në provë në Masë.

17Ruani urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, rregulloret e ligjet që t’i ka urdhëruar,

18dhe bëj çka është e drejtë dhe e mirë para syve të Zotit që të jesh mirë e ta marrësh për pronë tokën e mirë, për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tu

19që t’i dëbojë prej saj të gjithë armiqtë e tu para teje, sikurse ka premtuar Zoti.

20E kur nesër yt bir të të pyesë e të të thotë: ‘Ç’kuptim kanë këto rregullore, urdhërime e ligje që jua dha Zoti, Hyji ynë?’,

21ti përgjigjju: ‘Ishim skllevër të faraonit në Egjipt, dhe Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej Egjiptit

22dhe bëri shenja të mëdha e mrekulli ndër sy tanë në Egjipt kundër faraonit dhe mbarë shtëpisë së tij.

23Ne na nxori prej andej, që të na shpjerë e të na e japë tokën, të cilën me përbetim ua premtoi etërve tanë.

24Asohere Zoti na urdhëroi t’i vëmë në zbatim të gjitha këto urdhërime e të druajmë Zotin, Hyjin tonë, që të jemi të lumtur gjatë gjithë jetës sonë sikurse jemi edhe sot.

25Ne do të jemi të drejtë nëse do t’i zbatojmë të gjitha këto urdhërime në praninë e Zotit, Hyjit tonë, ashtu siç na ka urdhëruar.«