Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 17

Jezusi bën disa qortime, Shërimi i dhjetë të gërbulurve, etj.

36 vargje

Jezusi bën disa qortime

1Jezusi u tha nxënësve të vet: »Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë.

2Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve.

3Ruajuni fort! Po mëkatoi vëllai yt, qortoje. Po u pendua, fale!

4Edhe po qe se shtatë herë në ditë gabon kundrejt teje e shtatë herë të drejtohet i penduar e të thotë: ‘Më vjen keq’!, fale!«

5Apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: »Na e shto fenë!«

6Zotëria u tha: »Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshi këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.

7Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’

8a thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë njëherë e pastaj ha e pi edhe ti!?’

9A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua?

10Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë.’«

Shërimi i dhjetë të gërbulurve

11Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile.

12Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg

13e filluan të bërtasin: »Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne!«

14Kur i pa u tha: »Shkoni e paraqituni priftërinjve!« E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh.

16Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas.

17Jezusi mori fjalën e tha: »Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët?

18A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?

19Çohu e shko - i tha - feja jote të shpëtoi!«

Ardhja e Mbretërisë së Hyjit

20I pyetur prej farisenjve: »Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?« ai u përgjigji: »Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme,

21as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!«

22Atëherë u tha nxënësve të vet: »Do të vijë koha, kur do të dëshironi ta shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

23Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Qe, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni!

24Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut [Ditën e tij].

25Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.

26Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ngjajë edhe në ditët e Birit të njeriut:

27njerëzit hanin, pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë.

28Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin,

29por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhbiu të gjithë.

30Ashtu do të ngjajë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.

31Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e sendet t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa.

32Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit!

33Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.

34Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet.

35Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet.«

37Atëherë e pyetën: »Ku, o Zotëri?« »Ku të jetë kufoma - u përgjigji - aty do të mblidhen edhe shqiponjat.«