Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 18

Shëmbëlltyra e gruas së vejë dhe e gjykatësit, Shëmbëlltyra e fariseut dhe e tagrambledhësit, etj.

43 vargje

Shëmbëlltyra e gruas së vejë dhe e gjykatësit

1U tregoi edhe shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.

2Ai tha: »Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kryet.

3Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’

4Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vete më vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë,

5pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore.’«

6Zotëria vazhdoi: »Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë!

7Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre?

8Unë po ju them: do të ngritet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?«

Shëmbëlltyra e fariseut dhe e tagrambledhësit

9Ju tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët:

10»Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës.

11Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose - si ky tagrambledhës.

12Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’

13Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

14Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.«

Jezusi bekon fëmijët

15Disa ia binin edhe foshnjat që t’i bekonte. Nxënësit, kur i shihnin, ua ndalonin.

16Jezusi i grishi fëmijët dhe tha: »Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos ua ndaloni, sepse për të tillët është Mbretëria e Hyjit.

17Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija, nuk do të hyjë në të.«

Bujari pasanik

18Një bujar i bëri këtë pyetje: »Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?«

19Jezusi i përgjigji: »Përse më thua ‘i mirë?’ Askush s’është i mirë, përveç një Hyji të vetëm!

20Urdhërimet i di: ‘Mos the kurorën! Mos vra! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Ndero babën tënd dhe nënën!’«

21Ai atëherë i tha: »Të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë!«

22Kur e dëgjoi, Jezusi i tha: »Të mungon vetëm edhe një gjë: shit gjithçka ke, ndajau skamnorëve e do të kesh visar në qiell! Atëherë eja e më ndiq!«

23Ky, si e dëgjoi këtë fjalë, u trishtua, sepse ishte shumë i pasur.

24Jezusi, kur e pa [se u trishtua], tha: »Sa vështirë e kanë pasanikët të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit!

25Më lehtë e ka devja të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit!«

26Ata që dëgjuan, i thanë: »Po kush atëherë do të mund të shëlbohet?«

27»Çka s’mund të bëjnë njerëzit - u tha - Hyji mund ta bëjë.«

28Atëherë foli Pjetri: »Ja, ne lamë gjithçka patëm e erdhëm pas teje.«

29Jezusi u tha nxënësve: »Për të vërtetë po ju them: nuk mund të gjendet kund ai njeri që la për dashuri ndaj Mbretërisë së Hyjit, shtëpinë ose gruan, ose vëllezërit ose prindërit ose fëmijët

30që të mos marrë shumëfish edhe në këtë e në botën e ardhshme jetën e pasosur.«

Jezusi të tretën herë paralajmëron vdekjen e të ngjallurit e vet

31Pastaj i mori me vete të Dymbëdhjetët dhe u tha: »Ja po ngjitemi në Jerusalem dhe do të plotësohen të gjitha që u shkruan nga profetët për Birin e njeriut:

32sepse do t’u dorëzohet paganëve, të cilët do ta vënë në lojë, do ta salvojnë e do ta pështyjnë,

33e, pasi ta frushkullojnë, do ta vrasin. Ai veç do të ngjallet të tretën ditë.«

34Por ata s’morën vesh asgjë çka u tha. Këto fjalë për ta ishin fshehtësi e nuk kuptonin çka Jezusi u thoshte.

Shërimi i të verbërit prej Jerihos

35Kur Jezusi po i afrohej Jerihos, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte.

36Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç’është.

37Ata i thanë: »Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.«

38Ai zuri të bërtasë: »Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!«

39Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe: »Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!«

40Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t’ia sillnin para. Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti:

41»Çka dëshiron të bëj për ty?« Ai përgjigji: »Zotëri, që të shoh«

42»Shih! - i tha Jezusi - Të shpëtoi feja jote!«

43Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.