Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 21

Dhurata e vejushës, Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit, etj.

38 vargje

Dhurata e vejushës

1Jezusi shikoi dhe pa se si të pasurit po qitnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës.

2Pa edhe një grua të vejë, skamnore ku qiti dy lepta

3dhe tha: »Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë.

4Sepse të gjithë tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamit të vet gjithçka pati për jetesë.«

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit

5Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6»Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.«

Shenjat dhe salvimet

7E pyetën: »Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?«

8»Ruajuni - u përgjigji - të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre!

9E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.«

10Atëherë u tha: »Do të ngritet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër,

11do të ndodhin termete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

12Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim.

13Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

14Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj,

15sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj.

16Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.

18Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë!

19Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.«

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit

20»Kur të shihni se ushtria e rrethoi Jerusalemin, dijeni se shkatërrimi i tij është afër!

21Kush të gjendet atëherë në Jude, le të ikë në male! Kush të gjendet në Jerusalem, le të dalë prej tij! Kush të ndodhë në fushë, të mos kthehet në qytet!

22Sepse ato do të jenë ditë hakmarrjeje që të plotësohet gjithçka tha Shkrimi shenjt.

23Vaj në ato ditë për gratë shtatzëna e me fëmijë në gji, sepse do të jetë mjerim i madh mbi tokë dhe hidhërim kundër këtij populli!

24Do të bien të vrarë nga tehu i shpatës, do t’i çojnë skllevër ndër të gjithë popujt. Kurse Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.«

Ardhja e Birit të njeriut

25»Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija.

26Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’

27e atëherë ‘do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri.

28Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!«

Mësimi i fikut

29Pastaj u tregoi shëmbëlltyrën: »Vëreni fikun e të gjitha pemët.

30Kur të bulëzojnë edhe vetë e dini se vera është afër.

31Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër.

32Për të vërtetë po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni derisa të ndodhin të gjitha.

33Qielli e toka do të zhduken, e fjalët e mia nuk do të bien poshtë.«

Rrini gati

34»Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdesevet të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas,

35sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë.

36Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.«

37Jezusi ditën mësonte në Tempull, atëherë dilte për të kaluar natën në malin që quhet i Ullinjve.

38Mbarë populli ngritej herët në mëngjes e shkonte tek ai në Tempull për ta dëgjuar.