Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 22

Komploti kundër Jezusit, Përgatitjet e Darkës së Pashkëve, etj.

71 vargje

Komploti kundër Jezusit

1Ndërkaq po afroheshin të kremtet e Bukëve të Pabrume që quhen Pashkë.

2Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin Jezusin, sepse e dronin popullin.

3Atëherë djalli hyri në Judën që quhet Iskariot, i cili ishte një nga të Dymbëdhjetët.

4Ai shkoi për të biseduar me kryepriftërinj e me krerët e rojës së Tempullit në ç’mënyrë t’ua shtinte në dorë.

5Ata u gëzuan dhe i premtuan t’i japin të holla.

6Juda pranoi. Që atëherë kërkonte rastin t’ua dorëzonte kur të mos ishte populli pranë.

Përgatitjet e Darkës së Pashkëve

7Erdhi dita e Bukëve të Pabrume, kur duhej të flijohej qengji i Pashkëve.

8Atëherë Jezusi dërgoi Pjetrin e Gjonin dhe u tha: »Shkoni e na bëni gati Darkën e Pashkëve.«

9»Ku dëshiron ta bëjmë gati« - e pyetën ata.

10»Posa të hyni në qytet - u tha ai - do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë me ujë. Shkoni pas tij. Në atë shtëpi që të hyjë ai,

11thoni zotshtëpisë: ‘Mësuesi të çon fjalë: ku është dhoma e bukës në të cilën do të mund të ha me nxënësit e mi Darkën e Pashkëve?’

12Ai atëherë do t’jua tregojë në kat një sallon të madh të shtruar: aty na bëni gati.«

13Ata shkuan e gjetën ashtu si u tha dhe e përgatitën Darkën e Pashkëve.

Themelimi i Eukaristisë

14Kur erdhi koha, Jezusi u ul në tryezë e me të bashkë edhe apostujt.

15U tha: »Me gjithë shpirt kam pasur dëshirë të ha këtë Darkë të Pashkëve bashkë me ju para se të pësoj,

16sepse juve po ju them: nuk do ta ha më para se të marrë fund në Mbretërinë e Hyjit.«

17Atëherë mori gotën, u falënderua e tha: »Merreni e ndajeni ndër veti!

18Vërtet, unë po ju them se prej këtij çasti s’do të pi më fryt hardhie derisa të mos vijë Mbretëria e Hyjit.«

19Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha: »Ky është korpi im [që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!«

20E mori gjithashtu edhe kelkun, pasi u krye darka, e tha: »Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim që derdhet për ju.«]

21»Por, ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë!

22Biri i njeriut njëmend po shkon ashtu siç u caktua, porse, i mjeri ai njeri që po e tradhton!«

23Ata zunë ta pyesnin njëri-tjetrin cili prej tyre do të ishte ai që do ta bënte këtë gjë.

Rragatja rreth më të madhit

24Atëherë apostujt filluan të grinden ndër vete: cili prej tyre do të ishte më i madhi.

25Jezusi u tha: »Mbretërit e paganëve sundojnë me ta si zotërues; madje ata që sundojnë mbi ta kërkojnë të quhen ‘Bamirës’!

26Ju s’guxoni të bëni ashtu! Përkundrazi, më i madhi ndër ju të jetë si të ishte më i riu, kurse kryetari, sikur të ishte ai që shërben.

27Cili, në të vërtetë, është më i madh: ai që është në tryezë, apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? Tashti, unë jam ndër ju porsi ai që shërben.«

28»Ju jeni ata që, në provët e mia, qëndruat vazhdimisht me mua.

29Prandaj, unë po jua lë trashëgim Mbretërinë ashtu si ma dha mua im Atë:

30që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time dhe të rrini në trone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.«

Paralajmërimi i mohimit të Pjetrit

31»Simon, Simon, qe, Satani kërkoi t’ju shoshë porsi grurin!

32Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoj vëllezërit e tu.«

33»Zotëri - i tha Pjetri - jam gati të shkoj me ty edhe në burg edhe në vdekje!«

34Jezusi i përgjigji: »Unë po të them, o Pjetër, se sot, nuk do të këndojë gjeli, para se ti të mohosh tri herë se më njeh!«

Qesja, strajca dhe shpata

35Dhe u tha: »Kur ju dërgova pa qese, pa strajcë e pa sandale a u mungoi gjë?« »Asgjë! - u përgjigjën ata.

36Atëherë u tha: »Tani, kush ka qese, le ta marrë! Po ashtu edhe strajcën! E kush nuk ka shpatë, le t’i shesë petkat e veta e le ta blejë!

37Sepse, unë po ju them: në mua duhet të vërtetohet fjala e Shkrimit shenjt: ‘U radhit ndër keqbërës!’ Vërtet, gjithçka u parafol për mua, po shkon në vend.«

38Ata i thanë: »Zotëri, ja, këtu dy shpata!« Ai u përgjigji: »Mjaftojnë!«

Urata në Malin e Ullinjve

39Pastaj doli prej andej e u nis, si rëndom, drejt Malit të Ullinjve. Mbas tij shkuan edhe nxënësit.

40Kur arriti në atë vend, u tha: »Lutuni që të mos bini në tundim!«

41Dhe ai u largua prej tyre sa mund të hidhet guri, u ul në gjunjë dhe zuri të lutet:

42»O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje! Veçse, le të bëhet, jo vullnesa ime, por vullnesa jote!«

43Atëherë iu dëftua një engjëll nga qielli që i dha zemër. Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër.

44Djerësa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.

45U çua prej uratës, shkoi te nxënësit. I gjeti fjetur. I kishte këputur trishtimi.

46U tha: »Pse po flini? Çohuni! Lutuni të mos bini në tundim!«

Tradhtimi dhe arrestimi i Jezusit

47Ndërsa ai ende po fliste, qe, ia behi një turmë. Në krye të saj ishte ai që quhet Judë - njëri prej të Dymbëdhjetëve. Ai iu afrua Jezusit për ta puthur.

48Jezusi i tha: »O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut?«

49Ata që ishin përreth tij, duke parë çka po ngjante, thanë: »Zotëri, a t’u biem shpatë?«

50Dhe njëri prej tyre i ra shërbëtorit të kryepriftit e ia preu veshin e djathtë,

51Jezusi tha: »Zini vend! Mjaft!« - dhe ia preku veshin e ia shëroi.

52Atëherë Jezusi u tha atyre që kishin ardhur kundër tij, kryepriftërinjve e krerëve të rojës së Tempullit dhe pleqve: »Erdhët, si të isha unë cub, me shpata e shkopinj!

53Përditë isha në Tempull me ju e nuk çuat dorë në mua. Porse kjo është ora juaj dhe pushteti i territ.«

Pjetri i bie mohit

54E kapën, pra, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Pjetri e ndiqte për së largu.

55Ata ndezën zjarr në midis të oborrit dhe u ulën rreth tij. Ndër ta u ul edhe Pjetri.

56Kur një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi mirë dhe tha: »Edhe ky ishte me të!«

57Ai i ra mohit: »Nuk e njoh, moj fisnike!«

58Pak më vonë e vuri re një tjetër e tha: »Edhe ti je prej tyre!« »Nuk jam, o njeri!« - përgjigji Pjetri.

59Dhe pas, kund një orë, një tjetër tha: »Me të vërtetë edhe ky ishte me të! Sepse është edhe galileas!«

60Pjetri përgjigji: »S’di ç’po thua, o burrë!« Dhe shi atëherë, ndërsa ende po fliste - këndoi gjeli.

61Zotëria u kthye dhe ia lëshoi sytë Pjetrit. Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotërisë që ia pat thënë: ‘Para se sot të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!’

62Doli përjashta dhe qau thekshëm.

Jezusin e përqeshin dhe e rrahin

63Njerëzit që e ruanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.

64ia mbulonin fytyrën dhe i thoshin »Dëftohu profet - gjeje kush të ra!«

65I thoshin edhe shumë të shara tjera.

Jezusi para Këshillit të Lartë

66Kur zbardhi drita u mblodhën krerët e popullit, kryepriftërinjtë e skribët, e çuan Jezusin në Këshillin e Lartë të vetin

67dhe i thanë: »Nëse ti je Mesia, na thuaj!« Ai u përgjigji: »Nëse ju them, s’do të më besoni;

68nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjni.

69Por pas tashit, Biri i njeriut do të rrijë në të djathtën e Hyjit të gjithpushtetshëm.«

70Atëherë i thanë të gjithë: »Ti, pra, qenke Biri i Hyjit?!« Ai u përgjigji: »Ju thoni të vërtetën! Unë jam!«

71Atëherë ata thanë: »Ç’dëshmi tjetër na duhet? Ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij!«