Të gjithë kapitujt

Malakia · Kapitulli 1

Dashuria e Zotit ndaj Izraelit, Paditje kundër priftërinjve

14 vargje

1Profeci. Fjala e Zotit drejtuar Izraelit nëpërmjet Malakisë.

Dashuria e Zotit ndaj Izraelit

2»Ju kam dashur - thotë Zoti, e ju thoni: ‘Në çka na ke dashur?’ - Pse a nuk ishte Ezau vëllai i Jakobit? - thotë Zoti - e unë e desha Jakobin

3kurse Ezaun e kam urryer. Bjeshkët e tija i ktheva në shkretëtirë e trashëgimin e tij ua dhashë çakejve të shkretëtirës.

4Nëse Edomi thotë: ‘Kemi qenë shpartalluar, por do të sillemi e do të rindërtojmë çka na ka qenë rrënuar’, atëherë Zoti i Ushtrive thotë kështu: Ata le të ndërtojnë e unë do të shkatërroj. Ata do të quhen: ‘Vendi i prapësisë’ dhe ‘Popull me të cilin është hidhëruar Zoti për amshim’.

5Me sytë tuaj do ta shihni dhe do të thoni: ‘U madhërua Zoti edhe jashtë kufijve të Izraelit!’«

Paditje kundër priftërinjve

6»Djali e nderon t’atin e shërbëtori zotërinë. Në qoftë se unë jam babë, ku është nderi im? Nëse unë jam Zotëria, ku është frika ime?, ju pyet Zoti i Ushtrive ju, o priftërinj, që e përbuzni Emrin tim? - Por ju thoni: ‘Me çka e kemi përbuzur Emrin tënd?’ -

7Kushtoni mbi lterin tim bukë të përdhosur, e pyetni: ‘Me çka të kemi përdhosur?’ - Me atë që thoni: ‘Tryeza e Zotit është për t’u përbuzur!’

8Kur ju sillni për fli bagëti të verbët, a s’është kjo punë e keqe? E kur sillni të shqeptë e të sëmurë, a nuk është kjo punë e keqe? Çoja një bagëti të tillë prijësit tënd e të shohim pale a do t’i pëlqejë dhe a do të të pranojë mirë ty?’ - thotë Zoti i Ushtrive.

9E tash lutuni Hyjit që të ketë mëshirë për ju! Sepse kështu bëni me duart tuaja! A thua do t’ju pranojë mirë?, pyet Zoti i Ushtrive!

10Oh, sikur të gjendej dikush që i mbyll dyert që të mos digjet më kot lteri im! Jo, nuk jam i kënaqur me ju - thotë Zoti i Ushtrive - një dhuratë të tillë s’do ta pranoj prej dorës suaj!

11Prej ku lind dielli e deri ku perëndon i madhërueshëm është Emri im ndër popuj, e në çdo vend i digjet kem dhe i kushtohet fli e pastër Emrit tim, sepse është i madhërishëm Emri im ndër popuj - thotë Zoti i Ushtrive.

12Ndërsa ju e përdhosni kur thoni: ‘Tryeza e Zotit është e përdhosur e i përbuzshëm ushqimi i saj.’

13E shtoni: ‘Mundim i kotë!’, dhe e përbuzni - thotë Zoti i Ushtrive. E sillni prej bagëtive të cubnuara të shqeptë, të ligë dhe e bini si dhuratë flijimi! Vallë a do ta pranoj prej duarve tuaja?, thotë Zoti.

14Qoftë mallkuar mashtruesi që ka në grigjë mashkull të cilin e ka kushtuar ta flijojë, e ia flijon Zotit një tjetër me të meta! Sepse unë jam Mbret i madh - thotë Zoti i Ushtrive - dhe Emri im është i tmerrshëm ndër kombe!