Të gjithë kapitujt

Zakaria · Kapitulli 14

Lufta eskatologjike: shkëlqimi i Jerusalemit

21 vargje

Lufta eskatologjike: shkëlqimi i Jerusalemit

1Ja, po vjen një ditë për Zotin: do të ndahen plaçkat e tua në mesin tënd!

2Tok do t’i bashkoj të gjitha kombet për të luftuar kundër Jerusalemit. Qyteti do të merret, shtëpitë do të shkretohen e gratë do të dhunohen! Gjysma e qytetit do të shkojë në skllavëri, pjesa tjetër nuk do të nxirret nga qyteti.

3Atëherë Zoti do të dalë e do të luftojë kundër këtyre kombeve si di Ai të luftojë në ditën e luftimit.

4Këmbët e tija atë ditë do të qëndrojnë mbi Malin e Ullinjve që është përballë Jerusalemit në lindje. Mali i Ullinjve do të ndahet dysh: një pjesë në lindje e një pjesë në perëndim. Do të trajtohet një luginë e thellë shumë: njëra pjesë do të mbajë në veri e tjetra në jug.

5Ju do të ikni në luginën e këtyre maleve, sepse lugina e maleve do të arrijë deri në Jasol; do të ikni sikurse ikët nga tërmeti në ditët e Ozisë, mbretit të Judës. Atëherë do të vijë Zoti, Hyji im, e me të të gjithë shenjtërit.

6Do të ndodhë: atë ditë nuk do të ketë dritë, por të ftohtë e akull.

7E do të jetë një ditë e veçuar ‑ këtë e di Zoti ‑ as ditë as natë; në mbrëmje do të ndriçojë drita!

8Do të ndodhë: atë ditë do të pëlcasin ujërat e gjalla në Jerusalem: gjysma e tyre do të derdhen në Detin e Lindjes e gjysma e tyre në Detin e Perëndimit: kështu do të jetë verës e dimrit!

9Atëherë Zoti do të jetë Mbreti i mbarë tokës: atë ditë do të jetë një Zot i vetëm e një i vetëm do të jetë Emri i tij!

10Mbarë toka do të bëhet e shkretë prej Gabës e deri në Remon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ngallitë e do të banohet në vendin e vet që prejDerës së Beniamit deri te Dera e Parë, deri te Dera e Këndeve, atëherë prej qytezës Hananeel deri në Shtrydhësit e mbretit.

11Do të banohet në të e nuk do të ketë më mallkim, e Jerusalemi do të banohet në qetësi.

12Dhe, ja, varra, me të cilën do t’i goditë Zoti të gjithë popujt që do të luftojnë kundër Jerusalemit: secilit do t’i kalbet mishi, ndërsa ende do të qëndrojnë në këmbë të veta; sytë do t’u kalben në birat e syve, në gojë do t’u kalbet gjuha.

13Atë ditë Zoti do ta çojë një kryengritje të madhe ndër ta: njëri do t’ia kapë tjetrit dorën, njëri kundër tjetrit do të çojë dorë.

14Edhe Juda do të luftojë në Jerusalem. Pasuritë e të gjitha kombeve përreth do të bashkohen: ar, argjend e petka në një sasi tejet të madhe.

15Me plagë të tillë do të goditen kuajt, mushqit, gamilet, gomarët dhe të gjitha kafshët që do të gjenden në fushime.

16Po edhe të gjithë që do të mbesin gjallë prej atyre kombeve që erdhën të luftojnë kundër Jerusalemit, vit për vit do të ngjiten për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive e për të festuar të kremten e Tendave.

17E do të ndodhë: në qoftë se ndonjë fis i tokës nuk do të ngjitet në Jerusalem për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive, shi mbi ta s’do të bjerë.

18Po në qoftë se as fisi i Egjiptit nuk do të ngjitet e nuk do të vijë, do ta gjejë po ai frushkull me të cilin Zoti do t’i godasë kombet që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave.

19I tillë do të jetë ndëshkimi për Egjiptin e për të gjithë popujt që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave.

20Atë ditë do të jetë mbi cingaret e kuajve e shkruar:’I kushtuar Zotit’; e në Shtëpinë e Zotit do të jenë kusi porsi kupat e flijimit para lterit.

21Madje çdo kusi në Jerusalem e në Judë do të jetë e kushtuar Zotit të Ushtrive. Të gjithë ata që do të duan të kushtojnë do të vijnë e do të marrin sosh e do të zijnë në to. Atë ditë nuk do të ketë më tregtar në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive.”