Të gjithë kapitujt

Zakaria · Kapitulli 13

Personifikim i shpatës: populli i ri

9 vargje

1Në atë ditë do të jetë kroi rrjedhës për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit për larje të mëkateve e të papastërtive.

2Atë ditë do të ndodhë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ do t’ua zhduk emrat idhujve mbi tokë, s’do të përmenden më. Do t’i zhduk profetët e rremë dhe shpirtin e papastër përmbi tokë.

3E do të ndodhë: kur ndokush të guxojë të profetojë, do t’i thotë i ati dhe e ëma, ata që e lindën: “Mos e paç jetën e gjatë, sepse fole rrena në emër të Zotit!” I ati dhe e ëma, ata që e lindën, do ta shporojnë pse profetizon.

4Atë ditë çdo profet do të turpërohet për vegimin e vet; nuk do të mbulohen më me thes dhie për të rrejtur,

5por do të thotë secili:’Nuk jam profet! Jam njeri që punoj tokën, sepse toka është prona ime që prej rinisë sime.’

6Atëherë do t’i thonë: “Nga këto varrë në duar të tua?” Do të përgjigjë: “U plagosa në shtëpi të miqve!”

Personifikim i shpatës: populli i ri

7Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim, kundër njeriut që e kam të afërm ‑ thotë Zoti i Ushtrive. Godite bariun që të shpërndahen delet, do ta çoj dorën kundër të vegjëlve.

8Atëherë do të ndodhë mbi mbarë tokën ‑ thotë Zoti: dy të tretat e saja do të shpërndahen, do të mbarojnë; veç një e treta do t’i lihet.

9Nëpër zjarr do ta kaloj këtë të tretë, do ta pastroj siç pastrohet argjendi, do ta sprovoj si sprovohet ari: ai do të ma thërras emrin e unë do ta dëgjoj. Unë do të them: “Ai është populli im!” e ai do të thotë: “Zoti është Hyji im!”