Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 10

Martesa e pandashme, Jezusi bekon fëmijët e vegjël, etj.

53 vargje

Martesa e pandashme

1Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Judesë (dhe) në anën për tej Jordanit. Prapë u mblodh rreth tij një turmë e madhe populli dhe ai përsëri nisi t’i mësojë siç e kishte zakon.

2Atëherë (iu afruan farisenjtë) e, për ta sprovuar, e pyetën: »A ka leje burri ta lëshojë gruan?«

3Ai u përgjigji: »Çka ju urdhëroi Moisiu?«

4Ata i përgjigjën: »Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e divorcit e të lëshohet.’«

5Jezusi u tha: »Atë rregullore Moisiu e shkroi për ju për arsye të kryeneçësisë suaj.

6Por në fillim të botës, Hyji ‘i krijoi mashkull e femër.

7Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohët me gruan e vet,

8e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Këndej pra, nuk janë më dy, - por një trup i vetëm.

9Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!«

10Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë.

11Ai u tha: »Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës.

12Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.«

Jezusi bekon fëmijët e vegjël

13Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin.

14Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: »Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit!

15Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.«

16Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

Djaloshi pasanik

17Kur doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: »Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?«

18Jezusi i përgjigji: »Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm!

19Urdhërimet i di: ‘Mos vra! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!’«

20Ai i përgjigji: »Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.«

21Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: »Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajau skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!«

22Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.

23Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: »Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!«

24Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: »Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit!

25Më lehtë është të përshkohet gamilja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!«

26Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: »Atëherë kush do të mund të shëlbohet?«

27Jezusi ua nguli sytë dhe tha: »Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.«

28Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: »Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.«

29Jezusi i përgjigji: »Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat

30e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime - njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara - e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.

31Shumë asish që janë të parët do të jenë të sprasmët, ndërsa shumë të sprasmë do të jenë të parët.«

Jezusi për të tretën herë e paralajmëron vdekjen dhe ngjalljen e vet

32Ishin në udhëtim e po ngjiteshin në Jerusalem. Jezusi u printe. Nxënësit çuditeshin, por e ndiqnin edhe pse me frikë. Jezusi rishtas i mblodhi rreth vetës të Dymbëdhjetët e filloi t’u tregojë se çka do t’i ndodhë:

33»Qe se po ngjitemi në Jerusalem e Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do ta lëshojnë në duar të paganëve.

34Do ta vënë në lojë, do ta pështyjnë, do ta frushkullojnë e do ta vrasin. Por ai, pas tri ditësh, do të ngjallet.«

Kërkesa e Jakobit dhe e Gjonit

35Atëherë Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: »Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.«

36»Çka dëshironi - u tha Jezusi - të bëj për ju?«

37Ata i thanë: »Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.«

38Jezusi u përgjigji: »Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?«

39»Jemi të zotët!« - i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: »Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem.

40Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time - kjo nuk është në pushtetin tim ta jap - kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.«

41Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin.

42Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: »Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre.

43Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj,

44dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve,

45sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.«

Shërimi i Bartimeut të verbër

46E arritën në Jerihon. Kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbët, rrinte në anë të rrugës e lypte.

47Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: »Jezus, Biri i Davidit, ki mëshir për mua!«

48Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: »Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!«

49Jezusi zuri vend e tha: »Thirreni!« Ata i bënë zë të verbëtit dhe i thanë: »Mos u tremb! Çohu se po të thërret!«

50I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.

51Jezusi e pyeti: »Çka dëshiron të bëj për ty?« »Rabbuni! Që të shoh!« - përgjigji i verbëri.

52Jezusi i tha: »Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!«

53Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.