Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 11

Hyrja kremtore në Jerusalem, Jezusi e mallkon fikun e pafrytshëm, etj.

32 vargje

Hyrja kremtore në Jerusalem

1Kur iu afruan Jerusalemit - te Betfaga e te Betania, afër Malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet

2dhe u tha: »Shkoni në fshat që është para jush. Posa të hyni, do ta gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i hypi në shpinë. Zgjidheni e ma bini.

3Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë, dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu.«

4Ata shkuan, e gjetën gomarin e lidhur përjashta te dera në rrugë dhe e zgjidhën.

5Disa që ndodhën aty i pyetën: »Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?«

6Nxënësit përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan.

7Ata ia çuan gomarin Jezusit, qitën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hypi në të.

8Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa tjerë gemat që këputnin nëpër ara.

9Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin: »Hosana! Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit!«

10Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit! Hosana në qiejt më të lartat!«

11Jezusi hyri në Jerusalem, në Tempull, shikoi çdo gjë dhe, pasi dita ishte në të sosur, shkoi me të Dymbëdhjetët në Betani.

Jezusi e mallkon fikun e pafrytshëm

12Të nesërmen, kur dolën prej Betanisë, Jezusi ishte urëtuar.

13Prej së largu pa një fik me gjethe, shkoi për të gjetur ndonjë kokërr në të. Por, kur iu afrua, nuk gjeti në të asgjë përveç gjethesh, sepse nuk ishte koha e fiqve.

14Atëherë i tha: »Askush mos ngrëntë kurrë e për këtë jetë më fryt prej teje!« Nxënësit e tij i dëgjuan këto fjalë.

Jezusi i dëbon nga Tempulli shitësit

15Dhe arritën në Jerusalem. Kur hyri në Tempull, filloi t’i dëbojë ata që shitnin e blenin në Tempull. Ndërruesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave ua rrëzoi bankat.

16Askënd s’la të mbartë ndonjë send nëpër Tempull.

17I mësonte dhe u thoshte: »Po, a nuk thotë Shkrimi shenjt: ‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi urate për të gjithë popujt?’ e ju e bëtë shpellë cubash!«

18Kur dëgjuan kryepriftërinjtë e skribët, kërkonin mënyrën si ta vrasin; por e dronin, sepse populli mbarë ishte i ngazëlluar me mësimin e tij.

19Kur u bë natë, Jezusi e nxënësit po dilnin jashtë qytetit.

Mësimi i fikut të nëmur

20Kur, në mëngjes, kaluan andej, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë.

21Atëherë Pjetrit i ra ndër mend e i tha: »Rabbi, shiko! Qenka tharë fiku që ti nëme!«

22Jezusi mori fjalën e u tha: »Kini besim në Hyjin!

23Përnjëmend po ju them: nëse ndokush i thotë këtij mali: ‘Çohu dhe hidhu në det!’ - e nuk dyshon në zemrën e vet, por beson se do të ndodhë siç thotë, po se ashtu do t’i ngjajë!

24Prandaj po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se e morët, e dota fitoni me siguri.

25E, kurdo të ngriteni për t’u lutur, falni nëse keni ndonjësend kundër ndokujt, që Ati juaj që është në qiell, t’jua falë edhe juve fajet.«

Çështja e pushtetit të Krishtit

27Prapë erdhën në Jerusalem. Ndërsa Jezusi po ecte nëpër Tempull, iu afruan kryepriftërinjtë, skribët e pleqtë

28e i thanë: »Me ç’pushtet i bën ti këto? Ose kush ta dha ty pushtetin të veprosh kështu?«

29Jezusi u përgjigj: »Edhe unë po ju bëj një pyetje të vetme. Më përgjigjni ju e atëherë do t’ju përgjigji me ç’pushtet i bëj këto.

30Më përgjigjni: Pagëzimi i Gjonit a ishte prej ‘Qiellit’ apo prej ‘njerëzve’?«

31Ata filluan të pleqërojnë në vetvete: ‘Po thamë ‘Prej Qiellit’, ai do të na thotë: ‘Pse atëherë nuk i besuat?’

32E po përgjigjëm: ‘Prej njerëzve…’ Dronin popullin sepse të gjithë e mbanin Gjonin profet të vërtetë.

33Këndej i përgjigjën Jezusit: »Nuk dimë.« Edhe Jezusi u përgjigji: »As unë, pra, s’po ju tregoj se me ç’pushtet i bëj këto!«