Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 12

Shëmbëlltyra e vreshtarëve vrastarë, Pagimi i tatimit Cezarit, etj.

44 vargje

Shëmbëlltyra e vreshtarëve vrastarë

1Atëherë Jezusi filloi t’u flasë në shëmbëlltyra: »Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, e punoi shtrydhësin, ndërtoi kullën, ua dha për gjysmë vreshtarëve dhe shkoi në dhe të huaj.

2Në kohë të duhur dërgoi shërbëtorin e vet te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të fryteve të vreshtit.

3Ata e kapën, e rrahën dhe e nisën duarthatë.

4Ai prapë dërgoi tek ata një tjetër shërbëtor, por edhe këtij t’i hoqën dru kresë dhe e poshtëruan.

5Pastaj dërgoi edhe të tretin: këtë e vranë. Çoi edhe shumë tjerë. Edhe këta disa i rrahën e disa i vranë.

6Kishte vetëm edhe një: djalin e vet të dishirit. Të sprasmin ua dërgoi atë. Mendonte. ‘Do të ma nderojnë djalin.’

7Por ata, vreshtarët, i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim e neve do të na mbesë trashëgimi!’

8E kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

9Ç’do t’u bëjë (tani) zotëria i vreshtit? Do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë e vreshtin do t’ua japë të tjerëve.

10Po a nuk i keni lexuar këto fjalë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit;

11kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’«

12Mendonin ta kapnin, por dronin popullin. Mirë e morën vesh se Jezusi e kishte drejtuar këtë shëmbëlltyrë kundër tyre. E lanë e shkuan.

Pagimi i tatimit Cezarit

13Mandej ia dërguan disa prej farisenjsh e herodianësh me qëllim që ta zënë në fjalë.

14Këta erdhën e i thanë: »Mësues, e dimë se je njeri që flet të vërtetën. Nuk je në kujdes për askënd, se ti nuk e merr parasysh pozitën që kanë njerëzit kur është puna të mësosh të vërtetën ashtu si kërkon Hyji të jetojmë. A është e lejueshme t’ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo? A t’ia japim apo të mos ia japim.«

15Ai e hetoi dredhinë e tyre dhe u tha: »Pse po më sprovoni? Ma bini ta shoh një denar!«

16Ata ia sollën. Ai i pyeti: »E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?« »Të Cezarit.« - i përgjigjën ata.

17Jezusi u përgjigj: »Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!« I la me gojë hapët.

Ringjallja e të vdekurve

18Saducenjtë që mësojnë se nuk ka ringjallje, erdhën dhe e pyetën:

19»Mësues, Moisiu shkroi për ne: ‘Po vdiq vëllai i ndokujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij të martohet me gruan e tij e t’i lindë fëmijë vëllait të vet’.

20Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq, por nuk la pasardhës.

21I dyti e mori atë e vdiq, por nuk la trashëgimtar. Po ashtu edhe i treti.

22Asnjëri prej të shtatëve nuk la trashëgimtar. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja.

23Pas ringjalljes (kur të ngjallen) gruaja e cilit do të jetë? Sepse, të shtatë e patën grua.«

24Jezusi u përgjigji: »Po a nuk jeni në gabim shi pse nuk e kuptoni Shkrimin shenjt e pushtetin e Hyjit?

25Sepse, kur njerëzit të ngjallen prej së vdekuri, as burrat s’do të marrin gra, as gratë burra, por do të jenë porsi engjëjt në qiell.

26Përsa mandej i përket çështjes së ringjalljes të të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në fragmentin mbi dukurinë e ‘Kaçubës’, se si i tha Hyji: ‘Unë jam Hyji i Abrahimit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit?’

27Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve. Jeni shumë gabim!«

Më i madhi urdhërim

28Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigji mirë, iu afrua dhe e pyeti: »Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?«

29Jezusi i përgjigji: »I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm.

30Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’

31Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.«

32Skribi përgjigji: »Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër.

33Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten,’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.«

34Jezusi, duke parë se përgjigji me urti, i tha: »Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.« Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.

Çështja e Birit të Davidit

35Kurse Jezusi, duke mësuar në Tempull, bëri këtë pyetje: »Si mund të thonë skribët se Mesia është biri i Davidit,

36kur vetë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, tha: ‘I tha Zoti Zotit tim: rri në të djathtën time, deri t’i vë armiqtë e tu shtrojë të këmbëve të tua?’

37Vetë Davidi e quan atë Zot! Si është atëherë i biri?« Masat e popullit e dëgjonin me kënaqësi.

Mendimi i Jezusit mbi skribët

38Mandej në mësimin e vet u thoshte: »Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe,

39të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti.

40Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!«

Dhurata e vejushës skamnore

41Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë.

42Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, d.m.th. një të katërt të asit.

43Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: »Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë.

44Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.«