Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 4

Shëmbëlltyra e mbjellësit, Qëllimi i shëmbëlltyrave, etj.

41 vargje

Shëmbëlltyra e mbjellësit

1Jezusi filloi prapë të mësojë në breg të detit. Turmë e madhe u mblodh rreth tij. Andaj hyri në barkë në det e ndenj, kurse populli qëndronte në breg të detit.

2I mësonte shumë sende në shëmbëlltyra. Në mësimin e vet u thoshte:

3»Dëgjoni! Doli mbjellësi për të mbjellë.

4Ndërsa po qiste farën, disa kokrra ranë përbri udhës, erdhën zogjtë dhe i hëngrën.

5Disa tjera ranë në zallinë, ku nuk kishte mjaft dhe. Ato mbinë me të shpejtë, sepse toka nuk ishte e thellë.

6Por, kur doli dielli, u dogjën, e, pse nuk kishin rrënjë, u thanë.

7Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën, ua morën frymën e nuk dhanë fryt.

8Disa tjera ranë në tokë të mirë, mbinë, u rritën e dhanë fryt: njëra tridhjetëfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra njëqindfish.«

9Dhe shtoi: »Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!«

Qëllimi i shëmbëlltyrave

10Kur mbeti vetëm, ata që e përcillnin bashkë me të Dymbëdhjetët, e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrave.

11Ai u tha: »Ju e morët dhuratë misterin e Mbretërisë së Hyjit, kurse atyre që janë përjashta u mbërrin përgjithësisht në shëmbëlltyra,

12që ‘edhe pse shikojnë me kujdes - megjithatë nuk shohin, edhe pse dëgjojnë me kujdes - megjithatë nuk kuptojnë, përndryshe do të ktheheshin e do të gjenin falje.’«

Shtjellimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit

13Dhe vazhdoi: »Po a nuk e morët vesh këtë shëmbëlltyrë? Po, atëherë, si do t’i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?

14Mbjellësi mbjell Fjalën.

15Ata ‘përbri udhës’, ku mbillet fjala, janë ata që, posa e dëgjojnë Fjalën, vjen aty për aty djalli dhe ua rrëmben Fjalën që mbillet në ta.

16Po ashtu ata që e marrin farën në ‘zallinë’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë aty për aty me gëzim,

17porse nuk kanë në vetvete rrënjë - janë të luhatshëm. Por, po erdhi një e vështirë ose një salvim për shkak të Fjalës, e bjerrin besimin në Fjalën.

18Të tjerët që e morën Fjalën në ‘ferra’,

19janë ata që e dëgjuan Fjalën, por kujdeset e kësaj jete, lakmia e pasurisë dhe epshet ia zënë frymën Fjalës, dhe ajo mbetet pa fryt.

20E ka asish që e marrin farën në ‘tokë të mirë’. Këta e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: njëri tridhjetëfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri njëqindfish.«

Shëmbëlltyra e dritëzës dhe e masës

21Pastaj u tha: »A thua bihet llamba për t’u vënë nën enë ose nën tryezë? E jo për ta vënë në dritëmbartës?

22Sepse asgjë s’është e fshehtë, veçse për t’u zbuluar, asgjë në moh, veçse për të dalë në dritë.

23Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!«

24Edhe u tha: »Mbani mend çka dëgjoni! Me atë masë që të matni, me atë do t’ju matet! Madje edhe do t’ju shtohet!

25Sepse, atij që ka, do t’i jepet më, e atij që s’ka, do t’i merret edhe çka ka.«

Shëmbëlltyra e farës që rritet vetvetiu

26Dhe vazhdoi: »Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe.

27Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet - pa ditur ai se si.

28Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra.

29E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.«

Shëmbëlltyra e farës së sinapit

30Dhe thoshte: »Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim?

31Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe;

32por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.«

Përdorimi i shëmbëlltyrave

33Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë;

34por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

Fashitja e detit

35Po atë ditë, kur u err, u tha nxënësve: »Të kalojmë matanë!«

36Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra tjera.

37Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë.

38Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë: »Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?«

39Ai u zgjua i urdhëroi erës dhe i tha detit: »Qetësohu! Shuaj!« Era pushoi e u bë fashë e madhe.

40Atëherë u tha: »Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?«

41Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: »Vallë, kush është ky që po i nënshtrohen era dhe deti?«