Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 8

Jezusi ushqen mrekullisht katër mijë vetë, Farisenjtë kërkojnë shenjë, etj.

38 vargje

Jezusi ushqen mrekullisht katër mijë vetë

1Ndër ato ditë u bashkua përsëri turmë e madhe populli. Pasi s’kishin çka të hanë, Jezusi i thirri nxënësit e u tha:

2»Po më dhimben këta njerëz se qe, tash tri ditë po rrinë me mua e nuk kanë çka të hanë.

3Nëse i nisi të shkojnë të uritur në shtëpi të veta, do të mbesin udhës. Disa prej tyre kanë ardhur prej së largu.«

4Nxënësit e tij i përgjigjën: »E si mund t’i ngijë kush me bukë këtu, në këtë vend të shkretë?«

5Ai i pyeti: »Sa bukë keni?« »Shtatë! - i përgjigjën ata.

6Atëherë i urdhëroi turmës së popullit të ulet për tokë, i mori shtatë bukët, u falënderua, i ndau dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para. Ata ia dhanë popullit.

7Kishin edhe pak peshq të vegjël. I bekoi edhe ata dhe u urdhëroi t’ua ndajnë.

8Hëngrën dhe u nginë. Çuan copa që tepruan shtatë shporta.

9Ishin rreth katër mijë vetë. Atëherë i përcolli të shkojnë.

10Menjëherë hyri në barkë me nxënësit e vet e shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

Farisenjtë kërkojnë shenjë

11Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të rragatën me të. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit.

12Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: »Përse kjo brezni kërkon shenjë? Për të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë!«

13Atëherë i la, përsëri hypi në barkë dhe kaloi në anën tjetër.

Tharmi i farisenjve dhe i Herodit

14Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë.

15Atëherë Jezusi u bëri këtë porosi: »Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!«

16Ata i thoshin njëri-tjetrit: »Nuk kemi bukë!«

17Jezusi e hetoi atë gjë e u tha: »Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?

18‘Me sy në ballë e nuk shihni, me veshë në krye e nuk dëgjoni?’ po a nuk po ju kujtohet

19se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?« Ata i përgjigjën: »Dymbëdhjetë!«

20»E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?« »Shtatë!« - i përgjigjën.

21»Dhe ende nuk po kuptoni?! - u tha.

Shërimi i të verbërit prej Betsaidës

22Dhe arritën në Betsaidë. Aty ia sollën një të verbër dhe iu lutën ta prekte.

23Ai e mori për dore të verbërin, e qiti jashtë fshatit, i pështyu në sy, vuri duart mbi të dhe i tha: »A sheh gjë?«

24Ai i hapi sytë dhe tha: »Po shoh njerëz…më duken si drurë…ecin.«

25Pastaj Jezusi prapë i vuri duart mbi sytë e të verbërit. I verbëri pa qartë. U shërua. Shihte mirë, gjithçka.

26Jezusi e nisi të shkojë në shtëpi e i tha: »Mos hyr assesi në fshat!«

Dëshmimi i Pjetrit mbi Jezusin

27Jezusi u nis me nxënësit e vet drejtë fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: »Çka thonë njerëzit, kush jam unë?«

28Ata i përgjigjën: »Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.«

29Atëherë i pyeti ata: »Po ju, kush thoni se jam?« »Ti je Mesia!« - i përgjigji Pjetri.

30Ai u urdhëroi reptësisht të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të.

Jezusi paralajmëron vdekjen dhe ngjalljen e vet

31Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh.

32Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë.

33Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: »M’u hiq sysh, he djallë, se nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!«

34Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: »Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.

35Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.

36E njëmend, çka i vlen njeriut të fitojë mbarë botën, nëse e humb jetën e vet.

37Çka mund të japë njeriu si këmbim për jetën e vet?

38Për të vërtetë, kujdo t’i vijë turp për mua e për fjalët e mija para kësaj breznie të patenzone e mëkatare, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të arrijë në lavdi të Atit të vet me engjëjt e shenjtë.«