Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 19

Pandashmëria e kurorës së martesës, Jezusi bekon fëmijët, etj.

30 vargje

Pandashmëria e kurorës së martesës

1Si i kreu Jezusi këto fjalime, doli prej Galilesë e erdhi në krahinën e Judesë, matanë Jordanit.

2Iu vu mbas një shumicë e madhe njerëzish e ai i shëroi atje.

3Atëherë iu paraqitën disa farisenj dhe, me qëllim që ta sprovonin, e pyetën: »A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan për ndonjë arsye.«

4Jezusi u përgjigji: »A nuk keni lexuar: Krijuesi, kur i krijoi në fillim i krijoi mashkull e femër

5e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’

6Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!«

7Por ata vijuan: »E përse atëherë Moisiu urdhëroi: ‘të jepet letërndarja e të lëshohet?’«

8Ai u përgjigji: »Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur. Por në fillim nuk ka qenë ashtu.

9Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet - përveç në rast të fëlligështisë - e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.«

10Nxënësit i thanë: »Nëse qenka e tillë gjendja e burrit ndaj gruas, atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!«

11Ai u përgjigji: »S’e kuptojnë të gjithë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim.

12Sepse, ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë, ka edhe asish që njerëzit i bënë të paaftë për martesë dhe ka asish që i bien mohit martesës për dashuri të Mbretërisë së qiellit. Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!«

Jezusi bekon fëmijët

13Atëherë ia sollën disa fëmijë të vegjël që t’i bekonte e të lutej mbi ta; porse nxënësit u bërtisnin.

14Atëherë Jezusi u tha: »Lëni fëmijët e mos ua ndaloni të vijnë tek unë! Sepse atyre që janë si këta u përket Mbretëria e qiellit.«

15E, pasi i bekoi, shkoi prej andej.

Djaloshi i pasur

16Kur qe, iu afrua një njeri dhe e pyeti: »Mësues, çfarë të mire më duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?«

17Ai i përgjigji: »Përse më pyet për të mirën? Sepse vetëm Njëri është i mirë! Por, nëse do të hysh në jetë, zbatoj urdhërimet!«

18»E cilat? - pyeti ai. Jezusi i tha: »Mos vra Mos the kurorën! Mos vidh! Mos bëj dëshmi të rrejshme!

19Ndero babën e nënën tënde! Dhe duaje të afërmin tënd porsi vetvetën.«

20Djaloshi i tha: »Të gjitha këto i kam zbatuar. Çka më mungon tjetër?«

21Jezusi i përgjigji: »Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljau skamnorëve e ke për të pasur visar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua!«

22Por, kur djaloshi e dëgjoi këtë fjalë, shkoi i trishtuar, sepse kishte pasuri të mëdha.

23Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: »Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them:

24Është më lehtë të përshkohet devja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.«

25Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën për së tepërmi dhe thoshin: »Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?«

26Jezusi i shikoi dhe u tha: »Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!«

27Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti: »Qe, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?«

28Jezusi u tha: »Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës - kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet - edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

29Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

30Shumë prej atyre që janë të parët, do të jenë të fundit, kurse shumë prej atyre të fundit do të jenë të parët.«