Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 20

Punëtorët në vresht, Jezusi paralajmëron të tretën herë vdekjen dhe ngjalljen e vet, etj.

34 vargje

Punëtorët në vresht

1»Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zotështëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet.

2E, si u godit me punëtorët nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet.

3Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në treg

4e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’

5Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu.

6Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’

7Ata i përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’

8Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën - fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’

9Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar.

10Kur erdhën të parët, menduan se do të marrin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar.

11Duke e marrë ankoheshin në zotështëpinë

12e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’

13E ai i përgjigji njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u godite me mua nga një denar?

14Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty!

15A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’

16Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!«

Jezusi paralajmëron të tretën herë vdekjen dhe ngjalljen e vet

17Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha:

18»Qe, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje,

19e do ta dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.«

Kërkesa e nënës së Jakobit e të Gjonit

20Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë përdhe për t’i lypur diçka.

21Jezusi i tha: »Çka dëshiron?« Ajo i përgjigji: »Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrijnë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.«

22Jezusi përgjigji: »Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?« »Mundemi!« - i përgjigjën.

23Jezusi vijoi: »Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.«

24Kur morën vesh të dhjetë tjerët, u zemëruan në dy vëllezërit.

25Atëherë Jezusi i thirri pranë vetës e u tha: »Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet.

26Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj,

27kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj,

28sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!«

Shërimi i dy të verbërve të Jerihonit

29Kur po dilnin nga Jerihoni, iu vunë pas shumë njerëz.

30Kur qe, dy të verbër, që rrinin në skaj të rrugës, si morën vesh se po kalonte Jezusi, ia filluan të bërtasin: »Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne!«

31Populli u bërtiti të heshtënin, por ata klithën edhe më tepër: »Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne!«

32Jezusi u ndal, i thirri dhe u tha: »Çka kërkoni të bëj për ju?«

33Ata i përgjigjën: »Zotëri, që të na çelen sytë!«

34Jezusi pati dhembshuri për ta e ua preku sytë. Ata menjëherë panë dhe u nisën pas tij.