Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 27

Jezusi para Pilatit, Vdekja e Judës, etj.

66 vargje

Jezusi para Pilatit

1Kur zbardhi drita, të gjithë kryepriftërinjtë e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit për ta dënuar me vdekje.

2E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit të vendit.

Vdekja e Judës

3Atëherë Juda - ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta

4e tha: »Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!« »Ç’na lypet neve! - i përgjigjën ata. - Punë për ty!«

5Juda i hodhi siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në lak.

6Kryepriftërinjtë i mblodhën siklat e argjendta e thanë: »S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.«

7Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve.

8Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’.

9Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet: ‘Morën tridhjetë sikla argjendi, çmimin e të Çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit

10dhe e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse më urdhëroi vetë Zoti.’

Pilati merr në pyetje Jezusin

11E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti: »A je ti mbreti i judenjve?« Jezusi i përgjigji: »Vetë po thua!«

12E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, - s’përgjigji asnjë fjalë.

13Atëherë e pyeti Pilati: »A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?«

14Jezusi nuk i përgjigji në asnjë fjalë, kështu që qeveritari u habit për së tepërmi.

Jezusin e dënojnë me vdekje

15Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte.

16Tashti, aso here, ishte i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej (Jezus) Baraba.

17Atëherë Pilati u tha atyre që ishin mbledhur aty: »Cilin dëshironi ta liroj: (Jezus) Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?«

18Sepse e dinte fare mirë se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar prej smire.

19Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore, gruaja e tij e porositi: »Mos u përziej assesi në çështje të atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për shkak të tij.«

20Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të kërkonte çlirimin e Barabës e Jezusin ta vriste.

21Atëherë qeveritari i pyeti: »Cilin ndër këta dy doni t’jua liroj?« »Barabën« - i përgjigjën ata.

22E Pilati i pyeti: »Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?« Të gjithë përgjigjën: »Të kryqëzohet!«

23Por ai u tha: »Ç’të keqe bëri?« Por ata bërtitnin edhe më fort: »Të kryqëzohet!«

24Kur Pilati pa se s’po arrinte asgjë e se pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori ujë dhe, në sy të popullit, i lau duart duke thënë: »Unë jam i pafajshëm për këtë gjak! E heqshi ju!«

25Mbarë populli tha: »Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!«

26Atëherë ua liroi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet.

Ushtarët e përqeshin Jezusin

27Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij krejt kohortën.

28E zhveshën dhe ia qitën krahëve një mantel të kuq.

29Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye, ndërsa në dorën e djathtë ia dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë e i thoshin: »Të falemi, mbreti i judenjve!«

30e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë.

31Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petka të tija dhe e çuan për ta kryqëzuar.

Jezusin e kryqëzojnë

32E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij.

33Kur arritën në vend të quajtur Golgotë - d.m.th. Vendi i Kafkës -

34i dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth e, pasi e kërkoi, s’deshi ta pijë.

35Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë ndër vete petkat e tija.

36Pastaj ndenjën dhe e ruanin.

37Mbi krye ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: »Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.«

38Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

39Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me krye në shpoti

40dhe thoshin: »Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!«

41Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin:

42»Tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë!

43Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’«

44Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të.

Vdekja e Jezusit

45Qysh prej orës gjashtë deri në orën nëntë terri e mbuloi mbarë tokën.

46Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë të madh: »Eli, Eli! Lema sabakthani? - që d.m.th’: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!«

47Disa prej të pranishmëve, kur dëgjuan, thanë: »Ky po thërret Elinë!«

48Aty për aty u turr njëri prej sish, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam e ia shtriu ta pinte.

49Tjerët i thoshin: »Lëre të shohim pale a po vjen Elia për ta shpëtuar!«

50E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të madh e - dha shpirt.

51Dhe, ja, veli i Tempullit u shqye në dy pjesë, prej majës e deri në fund; toka u lëkund e shkëmbenjtë plasën,

52varret u hapën e u ngjallën shumë trupa të drejtësh që kishin vdekur.

53Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve, erdhën në Qytetin e shenjtë dhe iu dëftuan shumëkujt.

54Një frikë e madhe e kapi centurionin dhe ata që bashkë me të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, thanë: »Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Hyjit!«

55Aty po ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë qysh prej Galilesë dhe i kishin shërbyer.

56Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut.

Jezusin e varrosin

57Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit.

58Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi.

59Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër

60dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi.

61Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin kundruall varrit.

Roja e varrit të Jezusit

62Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes - u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati

63dhe i thanë: »Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’

64Prandaj urdhëro të ruhet varri deri të tretën ditë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’ E do të jetë gënjeshtra e fundit më e zezë se e para.«

65»Rojën e keni! - u përgjigji Pilati - Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.«

66Ata shkuan dhe e siguruan varrin: vulosën gurin dhe vunë rojën.