Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 26

Komploti kundër Jezusit, Përerimi i Jezusit në Betani, etj.

75 vargje

Komploti kundër Jezusit

1Jezusi, kur i kreu të gjitha këto fjalime, u tha nxënësve të vet:

2»Ju e dini se edhe dy ditë janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për të qenë kryqëzuar.«

3Atëherë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit bënë mbledhje në pallatin e kryepriftit që quhej Kajfa,

4dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti e ta mbysin.

5Por thoshin: »Jo në të Kremte që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.«

Përerimi i Jezusit në Betani

6Kur Jezusi po gjendej në Betani, në shtëpinë e Simonit të Gërbulur,

7ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua me një enë alabastri plot parfum të shtrenjtë dhe ia zbrazi mbi krye.

8Nxënësit, kur e panë, u zemëruan e thanë: »Pse gjithë ky shpenzim!

9Mundi të shitej shtrenjtë e t’u jepej skamnorëve!«

10Jezusi e hetoi këtë gjë e u tha: »Po pse po ia prishni kësaj gruaje? Ajo bëri vepër të mirë ndaj meje.

11Skamnorët i keni gjithmonë me vete, e mua nuk më keni gjithmonë.

12Ajo, vërtet, duke e zbrazur këtë parfum mbi trupin tim, e bëri atë që të më bëjë gati për varrim.

13Për të vërtetë, po ju them: kudo që do të predikohet - në botën mbarë - Ungjilli, do të thuhet në përkujtimin e saj edhe kjo që bëri.«

Juda bën godi me kryepriftërinjtë për të tradhtuar Jezusin

14Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë

15dhe u tha: »Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?« Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta.

16Qysh atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Përgatitja e Darkës së Pashkëve

17Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: »Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?«

18Ai u tha: »Shkoni në qytet te filani dhe thoni: Mësuesi thotë: koha ime është ngjat! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.«

19Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe e përgatitën darkën e Pashkëve.

20Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët.

21Ndërsa po hanin, ai u tha: »Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!«

22Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: »A mos jam unë, Zotëri?«

23Ai u përgjigji: »Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë - ai do të më tradhtojë.

24Po, Biri i njeriut patjetër po shkon sikurse është në Shkrimin shenjt për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!«

25Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: »A mos jam vetë, Mësues?« »E the vetë! - i përgjigji Jezusi.«

Themelimi i Eukaristisë

26Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: »Merrni, hani: ky është korpi im!«

27Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha: »Pini prej tij të gjithë,

28sepse ky është gjaku im - gjaku i Besëlidhjes - që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve.

29Unë po ju them: qysh tash nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi - një verë të re - në Mbretërinë e Atit tim.«

30Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve.

Jezusi parakallëzon mohimin e Pjetrit

31Atëherë Jezusi u tha: »Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mua. Sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Do t’i bie bariut e dhentë e tufës do të shpërndahen!’

32Porse, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.«

33Atëherë Pjetri i përgjigji: »Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty, unë assesi nuk do ta bjerr besimin në ty!«

34Jezusi i tha: »Për të vërtetë po të them: shi sonte, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!«

35Pjetri i tha: »Po edhe në qoftë se duhet të vdes bashkë me ty, nuk do të të mohoj!« Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit tjerë.

Urata në Gjetseman

36Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetsemani dhe u tha: »Rrini këtu, derisa unë të shkoj njatje e të lutem.«

37Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej.

38E u tha: »Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!«

39Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë përdhe e lutej: »Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.«

40Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: »Si kështu s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme?

41Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.«

42Prapë shkoi të dytën herë e u lut: »Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullnesa jote!«

43U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë.

44I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë.

45Atëherë u kthye te nxënësit e u tha: »Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve.

46Ngrituni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!«

Jezusin e tradhton Juda dhe e kapin

47Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda - njëri prej të Dymbëdhjetëve, e me të një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit.

48Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: »Kë unë të puth - u kishte thënë - ai është! Atë kapni!«

49Menjëherë iu afrua Jezusit e i tha: »Të falem, Mësues!« - dhe e puthi.

50Jezui i tha: »Mik, kryej punën tënde!« Atëherë u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën.

51Kur qe, njëri prej atyre që ishin me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.

52Atëherë Jezusi i tha: »Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjithë ata që kapën për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin.

53A ndoshta ti kujton se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar menjëherë dymbëdhjetë legjione engjëjsh?

54Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët e Shkrimit shenjt, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?«

55Atëherë Jezusi iu drejtua turmës: »Dolët me shpata e me shkopinj të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull, e nuk më kapët.

56Por, të gjitha këto ndodhën për të shkuar në vend Shkrimet e profetëve.« Atëherë të gjithë nxënësit e lanë e ikën.

Jezusi para Këshillit të lartë (Sinedrit)

57Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar skribët e pleqtë.

58Pjetri e ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri brenda dhe po rrinte me shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna.

59Krerët e priftërinjve e tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rrejshme kundër Jezusit për ta vrarë.

60Por nuk gjetën, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund u paraqitën dy

61e thanë: »Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta rrënoj Tempullin e Hyjit e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’«

62Atëherë u çua kryeprifti e i tha: »Ti s’po përgjigjesh fare për sa këta po dëshmojnë kundër teje?«

63Por Jezusi heshtonte. E kryeprifti i tha: »Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je ti Mesia, Biri i Hyjit?«

64Jezusi i përgjigji: »Ti the! E unë po ju them: Mbas tashit do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e të Gjithpushtetshmit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.’«

65Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta e tha: »Shau Hyjin! Ç’na duhen më dëshmitarët? Qe, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë.

66Ç’ju thotë mendja?« »Meriton të vdesë! - përgjigjën ata.

67Atëherë filluan ta pështyjnë në fytyrë, t’i bien grushta e disa tjerë flakaresha

68dhe i thoshin: »Na trego, o Krisht, kush të ra?«

Pjetri mohon Krishtin

69Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Kur qe, iu afrua një shërbëtore e i tha: »Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.«

70Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me këto fjalë: »Nuk di ç’po thua!«

71Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve: »Ky ishte me Jezu Nazarenin.«

72E ai prapë e mohoi me be: »As që e njoh atë njeri!«

73Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin aty e i thanë Pjetrit: »Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!«

74Atëherë Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli!

75Atëherë Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: »Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më biesh mohit.« Doli përjashta dhe qau me lot për faqe.