Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 25

Shëmbëlltyra e dhjetë vajzave, Shëmbëlltyra e talentave, etj.

46 vargje

Shëmbëlltyra e dhjetë vajzave

1»Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit.

2Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura.

3Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin.

4Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.

5Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi.

6Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’

7Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta.

8Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’

9Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera.

11Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’

12Por ai u përgjigji: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!«

Shëmbëlltyra e talentave

14»Sepse do të vijë sikurse ai njeriu që, kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta.

15Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim.

16Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë.

17Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë.

18Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehi paranë e zotërisë së vet.

19Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre.

20E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i qiti para edhe pesë tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.’

21I përgjigji zotëria i tij: Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

22U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy tjerë që i fitova!’

23I përgjigji zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

24Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe,

25u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!’

26Zotëria i tij i përgjigji me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha,

27prandaj të është dashur ta shtish paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë.

28Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta!

29Sepse, atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka!

30E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!’«

Gjyqi i fundit i mbarë botës

31»E kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm.

32Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve.

33Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!

35Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët,

36i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

37Të drejtët atëherë do t’i përgjigjin: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish?

38Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm?

39Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’

40Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

41Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij!

42Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët,

43isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

44Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ja në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’

45E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’

46Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.«