Të gjithë kapitujt

Nehemia · Kapitulli 4

Sanabalati, Tobia, arabët, amanitët dhe azotët

17 vargje

Sanabalati, Tobia, arabët, amanitët dhe azotët

1Kur Sanabalati, Tobia, arabët, amanitët dhe azotët morën vesh se rindërtimi i mureve të Jerusalemit po shkonte për së mbari - sepse po mbylleshin pjesët e rrënuara - u hidhëruan për së tepërmi

2dhe të gjithë së bashku u përbetuan se do të vijnë të luftojnë kundër Jerusalemit dhe se do të na bëjnë pështjellime.

3Atëherë ne iu lutëm Hyjit tonë dhe vumë roje ditë e natë kundër tyre.

4Juda thoshte: “Bartësit s’kanë më fuqi, rrënojat janë të mëdha dhe kurrë s’do të arrijmë t’i ndërtojmë muret!”

5Kurse armiqtë tanë thanë: “Pa pritur e pa kujtuar do të sulemi kundër tyre, do t’i vrasim dhe puna do t’u mbetet e pa kryer.”

6Ndërsa çifutët që jetonin afër tyre, erdhën dhjetë herë e na thanë këtë gjë, nga çdo vend që vinin tek ne

7prandaj u ulëm në vende të ulta e të hapura pas murit dhe e rendita popullin sipas vëllazërish me shpata, heshta e harqe të veta.

8Pasi i shikova gjithkah, u ngrita e u thashë bujarëve, parisë dhe popullit tjetër: “Mos u trembni prej tyre: e mbani ndër mend të Madhin Zot dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë e bijat tuaja, për gratë dhe shtëpitë tuaja!.”

9Kur kundërshtarët tanë morën vesh se ishim të njoftuar për këto, dhe se Hyji e kishte asgjësuar synimin e tyre, atëherë të gjithë u kthyem në mure, secili në punën e vet.

10Prej asaj dite gjysma e djelmoshave të mi punonte e gjysma tjetër i mbante heshtat, mburojat, shigjetat dhe pancirët, kurse krerët qëndronin pas shtëpisë së Judës,

11i cili e kishte ndërtuar murin. Edhe ata që bartnin, edhe ata që ngarkonin, me njërën dorë punonin e me të tjetrën mbanin shpatën.

12Ndërtuesit të gjithë e kishin të ngjeshur për ijësh nga një shpatë dhe kështu muronin. Burizani qëndronte përbri meje.

13Atëherë unë u thashë bujarëve, krerëve dhe vegjëlisë: “Punimet janë të mëdha dhe të gjera, ndërsa ne jemi të shpërndarë nëpër mure larg njëri-tjetrit:

14si të dëgjoni se bie boria, atje mblidhuni së bashku rreth nesh. Hyji ynë do të luftojë për ne.”

15Kështu e vazhdonim punën - gjysma jonë mbante armët prej agimit e deri kur dalin yjet e para.

16Aso kohe gjithashtu i thashë popullit: “Secili me shërbëtorin e vet le ta kalojë natën në Jerusalem: me radhë do të bëjmë rojë natën e ditën dhe do të punojmë.”

17As unë, as vëllezërit e mi as shërbëtorët e mi dhe as roja që më përcillte, nuk i zhveshnim petkat: secili prej nesh e mbante shpatën në anën e vet të djathtë.