Të gjithë kapitujt

Numrat · Kapitulli 28

Përcaktime lidhur me fli, A. Flitë e përditshme, etj.

31 vargje

Përcaktime lidhur me fli

1Zoti i tha përsëri Moisiut:

2“Urdhëroju bijve të Izraelit e thuaju: Kini kujdes të më paraqitni flinë bimore ‑ shujtën time ‑ të djegur në zjarr, erë të këndshme për mua, në kohën e caktuar.

3Ja flia e djegur në zjarr që ju duhet të ma kushtoni”:

A. Flitë e përditshme

“Çdo ditë dy qengja vjetakë, të patëmetë si fli të përhershme shkrumbimi.

4Njërin kushtojeni në mëngjes e tjetrin në mbrëmje,

5bashkë me flinë bimore një të dhjetën e efit më të mirit miell të ngjeshur me një të katërt të hin-it vaj të pastër.

6Është kjo fli e përhershme shkrumbimi që e keni kushtuar në malin Sinai, në erë të këndshme, e djegur në zjarr në nder të Zotit;

7njomeni me një të katërt të hin-it verë për çdo qengj. Njomjen bëjeni në Shenjtëtore ‑ pije dehëse në nder të Zotit.

8Po kështu kushtojeni edhe qengjin e dytë në mbrëmje, sipas ritit të flisë mëngjesore: fli e shkrumbuar në zjarr në erë të këndshme për Zotin”.

B. E shtuna

9“Kurse ditën e shtunë kushtoni dy qengja vjetakë, të patëmetë dhe dy të dhjeta të efit endës të ngjeshur me vaj me njomjen që i përket.

10Kjo është flia e shkrumbimit e të shtunës për çdo të shtunë, përveç flisë së shkrumbimit të përhershme me njomjen e saj”.

C. Hëna e re

11“Në fillim të muajve tuaj kushtoni Zotit fli shkrumbimi: dy mëzetër, një dash, qengja vjetakë të patëmetë shtatë

12dhe tri të dhjeta endës të ngjeshur në vaj si fli bimore për çdo mëzat dhe dy të dhjetat endës të ngjeshur në vaj për çdo dash,

13dhe një të dhjetë të efit endës të ngjeshur në vaj për fli bimore për çdo qengj: fli në erëkëndshmëri, fli e djegur në nder të Zotit.

14Njomjet e tyre le të jenë: një gjysmë hinit verë për çdo mëzat, një e tretë për dashin, një e katërt për qengj. Kjo le të jetë flia e shkrumbimit për çdo muaj që në rrjedhjen e vitit vjen njëri pas tjetrit.

15Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit me njomjet e tyre le të kushtohet edhe cjapi për flinë për mëkat në nder të Hyjit”.

Ç. Të pabrumet

16“Kurse në muajin e parë, të katërmbëdhjetën ditë të muajit le të jenë Pashkët në nder të Zotit,

17e të pesëmbëdhjetën ditë e kremte. Për shtatë ditë ushqehuni me bukë të pabrume.

18Të parën ditë të tyre le të mbahet tubimi i shenjtë: këtë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë.

19Kushtoni flinë e djegies, flinë e shkrumbimit në nder të Zotit: dy mëzetër, një dash dhe qengja vjetakë të patëmetë shtatë

20dhe, si fli bimore për çdonjërin, më të mirit miell të ngjeshur me vaj: tri të dhjetat e efit për secilin mëzat, dy të dhjetat për dash,

21dhe një të dhjetë të efit për secilin qengj, d. m. th. për shtatë qengjat.

22Një cjap për flinë për mëkat që të kryhet mbi ju riti i zgjidhjes.

23Përmbi këto edhe flia mëngjesore e përhershme.

24Kështu bëni për çdo ditë gjatë shtatë ditëve: është bukë, fli e djegur në erëkëndshmëri Zotit përveç flisë së përhershme të shkrumbimit dhe të njomjes së saj.

25Edhe të shtatën ditë le të jetë për ju ditë tubimi e shenjtë; atë ditë mos punoni asnjë punë të rëndë”.

D. Festa e Javëve

26“Po edhe ditën e Frytave të para, kur të kushtoni flinë bimore në nder të Zotit ‑ në të kremten e Javëve, mbajeni si ditë tubimi të shenjtë: atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë.

27Kushtoni flinë e shkrumbimit në erë të këndshme Zotit: dy mëzetër, një dash dhe qengja vjetakë të patëmetë shtatë.

28Si fli të kërkuar për të miell të ngjeshur me vaj: tri të dhjeta të efit për çdo mëzat, për dash dy të dhjetat

29dhe nga një të dhjetë të efit për secilin nga të shtatë qengjat.

30Edhe një cjap që flijohet për të kryer mbi ju ritin e zgjidhjes,

31përveç flisë së përhershme të shkrumbimit dhe të flisë bimore që e përcjell. Kushtoni bagëti të pa të metë me njomjen e duhur”.