Të gjithë kapitujt

Numrat · Kapitulli 29

DH. Festa e Brohoritjeve, E. Dita e madhe e Pajtimit, etj.

39 vargje

DH. Festa e Brohoritjeve

1“Po edhe e para ditë e muajit të shtatë le të jetë për ju ditë tubimi e shenjtë. Atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë! Kijeni ditë Brohoritjeje me trumbetë!

2Për fli në erë të këndshme kushtoni Zotit flinë e shkrumbimit: një mëzat, një dash dhe qengja vjetakë të patëmetë shtatë.

3Si kusht i tyre endës të ngjeshur me vaj tri të dhjeta të efit për mëzat, dy të dhjetat për dash,

4një të dhjetë të efit për çdo qengj, që janë shtatë,

5dhe një cjap si fli për mëkat, që flijohet për të kryer mbi ju ritin e zgjidhjes.

6Kjo bëhet përveç flisë së shkrumbimit të hënës së re dhe të kushteve të duhura për të dhe përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e të kushteve e të njomjeve të rëndomta, në erë të këndshme Zotit, fli e djegur në zjarr në nder të Zotit”.

E. Dita e madhe e Pajtimit

7“Po edhe të dhjetën ditë të këtij muaji të shtatë le të jetë për ju ditë tubimi e shenjtë. Atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë.

8Kushtoni fli shkrumbimi në erë të këndshme Zotit: një mëzat, një dash dhe qengja vjetakë të patëmetë shtatë,

9me flijim të duhur për ta të endës të ngjeshur me vaj: tri të dhjeta të efit për mëzat, dy të dhjeta për dash

10një të dhjetë për çdo qengj, që të gjithë së bashku janë shtatë.

11Kushtoni edhe cjapin e flisë për mëkat dhe përmbi këto duhet kushtuar flia e shpërblimit për ditën e Pajtimit të madh dhe flia e përhershme e shkrumbimit me kushtimet e njomjet që u përkasin”.

Ë. Festa e Tëbanave

12“Të pesëmbëdhjetën ditë të të shtatit muaj le të jetë ditë tubimi e shenjtë. Këtë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë, por festojeni si të kremte në nder të Zotit për shtatë ditë.

13Kushtoni fli shkrumbimi në erë të këndshme Zotit: mëzetër trembëdhjetë, desh dy dhe katërmbëdhjetë qengja vjetakë të patëmetë.

14Si kusht për to endës të ngjeshur me vaj: tri të dhjetat e efit për çdo mëzat, e mëzetër janë të gjithë së bashku trembëdhjetë, dhe dy të dhjetat e efit për një dash, d. m. th. për dy desh,

15dhe nga një të dhjetë për çdo qengj, e qengja së bashku janë gjithsej katërmbëdhjetë.

16Kushtoni edhe cjapin për flinë për mëkat përmbi flinë e përhershme të shkrumbimit me kushtin bimor dhe me njomjen e saj.

17Ditën e dytë kushtoni mëzetër dymbëdhjetë, desh dy e qengja vjetakë të patëmetë katërmbëdhjetë,

18me kushtet bimore dhe me njomjet e duhura për mëzetër, desh e qengja sipas numrit e ritit të duhur.

19Kushtoni edhe cjapin e flisë për mëkat përmbi flinë e përhershme të shkrumbimit me kushtet bimore dhe me njomjet e tyre.

20Të tretën ditë kushtoni njëmbëdhjetë mëzetër, dy desh e qengja vjetakë e të pa të metë katërmbëdhjetë,

21me kushtet bimore e me njomjet e duhura për secilin për mëzetër, për desh e qengja sipas numrit e ritit të duhur.

22Kushtoni edhe cjapin për flinë për mëkat përmbi flinë e përhershme të shkrumbimit me kushtin bimor e me njomjen e duhur.

23Të katërtën ditë kushtoni dhjetë mëzetër, dy desh e qengja vjetakë të patëmetë katërmbëdhjetë,

24me kushtin bimor e me njomjen e duhur për secilin mëzat, dash e qengj sipas numrit dhe ritit të duhur.

25Kushtoni edhe cjapin për flinë për mëkat përmbi flinë e përhershme të shkrumbimit me kushtin bimor e njomjen e duhur.

26Të pestën ditë kushtoni mëzetër nëntë, desh dy e qengja vjetakë të pa të metë katërmbëdhjetë,

27me kushtin bimor e njomjen e duhur për secilin: mëzetër, desh e qengja sipas numrit të tyre dhe ritit të duhur.

28Kushtoni edhe cjapin për mëkat, përmbi flinë e përhershme të shkrumbimit me kushtin bimor e njomjen e duhur.

29Të gjashtën ditë kushtoni mëzetër tetë, desh dy e qengja katërmbëdhjetë të pa të metë e vjetakë,

30me kushtin bimor e njomjen e duhur për secilin mëzat, dash e qengj sipas numrit të tyre dhe ritit të duhur.

31Kushtoni edhe cjapin për flinë për mëkat përveç flisë së përhershme të shkrumbimit me kushtin bimor e me njomjen e duhur.

32Të shtatën ditë kushtoni shtatë mëzetër, dy desh e qengja vjetakë e të pa të metë katërmbëdhjetë

33me kushtin bimor e njomjen për secilin mëzat, dash e qengj sipas numrit të tyre e ritit të duhur.

34Kushtoni edhe cjapin për flinë e mëkatit pa marrë parasysh flinë e përhershme të shkrumbimit me kushtin bimor e njomjen e duhur.

35Të tetën ditë le të mbahet tubimi kremtor. Mos bëni asnjë punë të rëndë

36dhe kushtoni si fli shkrumbimi në erë të këndshme Zotit: një mëzat, një dash dhe qengja vjetakë të pa të metë shtatë

37me kushtin bimor e njomjen për secilin mëzat, dash e qengj sipas numrit të tyre e sipas ritit të duhur.

38Kushtoni edhe cjapin për flinë për mëkat, pa marrë parasysh flinë e përhershme të shkrumbimit, kushtin bimor të saj dhe njomjen.

39Ja, pra, sa u duhet t’i kushtoni Zotit në ditë të kremteve tuaja, përveç kushteve e flive vullnetare, flive të shkrumbimit, flive bimore, njomjeve e flive për pajtim”.