Të gjithë kapitujt

Numrat · Kapitulli 36

Trashëgimi i gruas së martuar, Përfundimi

13 vargje

Trashëgimi i gruas së martuar

1Atëherë u afruan prijësit e barqeve të bijve të Galaadit, të birit të Mahirit, të birit të Manaseut, prej njërës ndër vëllazëritë e Jozefit dhe para Moisiut e para prijësve të vëllazërive të Izraelit,

2thanë: “Ty, zotërisë sonë, i ka urdhëruar Zoti t’ua ndash me short tokën bijve të Izraelit dhe bijave të Salfaadit, vëllait tonë, trashëgimin e detyruar babait.

3Këto po qe se i marrin për gra njerëzit e një fisi tjetër, ato do ta marrin trashëgimin e vet me vete e kështu ajo pasuri e kaluar në një fis tjetër do ta zvogëlojë trashëgimin tonë.

4Kështu, kur të vijë viti jubilar, trashëgimi i këtyre grave do të kalojë në atë fis të cilit ato i përkasin e do të hiqet prej pronës së fisit të të parëve tonë”.

5Moisiu atëherë, me urdhër të Zotit, u tha izraelitëve: “Foli drejt fisi i bijve të Jozefit.

6Kjo është rregullorja që Zoti e ka vendosur lidhur me rastin e bijave të Salfaadit: Le të martohen me kë të duan, porse vetëm me njerëz të fisit të vet

7që të mos përzihet prona e bijve të Izraelit fis me fis dhe bijtë e Izraelit duhet të mbeten të lidhur me pronën e të parëve të vet

8dhe të gjitha bijat trashëgimtare e bijve të Izraelit le t’i marrin burrat prej vëllazërive të fisit të të parëve të vet, që trashëgimi të mbetet në vëllazëri

9dhe që të mos përzihet prona e një fisi me fisin tjetër; kështu çdo fis do të mbetet i lidhur me trashëgimin e vet ndër bijtë e Izraelit”.

10Bijat e Salfaadit bënë ashtu si Zoti i urdhëroi Moisiut,

11dhe Maala, Tersa, Hegla, Melha e Noa u martuan me bijtë ungjëvet të vet,

12prej vëllazërisë së Manaseut, birit të Jozefit. Kështu prona që u qe ndarë atyre, mbeti në fisin dhe në vëllazërinë e t’et.

Përfundimi

13Këto janë urdhërimet dhe ligjet që Zoti ua dha izraelitëve nëpër Moisiun në rrafshin e Moabit në bregun e Jordanit, përballë Jerikut.