Të gjithë kapitujt

Predikuesi · Kapitulli 1

Hyrje, PJESA I, etj.

18 vargje

Hyrje

1Fjalët e Kishtarit, të birit të Davidit, mbretit të Jerusalemit.

2Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari, kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi!

3Ç’fitesë ka njeriu prej të gjithë punës që bën nën diell?

PJESA I

Parathënie

4Një brezni kalon, një tjetër brezni vjen, kurse toka mbetet gjithmonë e njëjta.

5Dielli lind, dielli perëndon e mezi ç’pret të mbërrijë në vendin e vet nga prapë lind!

6Era merr drejtimin e mesditës, kthehet në perëndim, fryn duke u endur gjithkah në lëvizje dhe kthehet në vorbullat e veta.

7Të gjithë lumenjtë rrjedhin drejt detit e deti nuk mbushet, dhe, në vendet nga dalin, atje lumenjtë kthehen në rrjedhën e vet.

8Gjithçka është e mërzitshme dhe s’ka njeri që mund t’ia shtjellojë pse-në. S’ngihet syri me të parë as s’mbushet veshi me të dëgjuar.

9Çka qe është tani e do të jetë pastaj. Çka ka qenë bërë është tani e do të bëhet pastaj:

10s’ka asgjë të re nën diell! Nëse thuhet për një gjësend: “Ja, kjo është e re!”, ‑ ajo ishte shekuj me radhë para nesh!

11S’ka kujtim për kohët e shkuara, po gjithashtu s’do të ketë kujtim as për gjërat që do të vijnë tek ata që do të jenë pas tyre.

1. Jeta e Salomonit

12Unë, Kishtari, isha mbret i Izraelit në Jerusalem,

13dhe vendosa në shpirtin tim të kërkoj me anë të urtisë e të shqyrtoj gjithçka ndodh nën diell. Oh po, është kjo një detyrë tepër e mërzitshme që Hyji ua dha bijve të njerëzve që të merren me të!

14I pashë të gjitha që ndodhin nën diell: dhe, ja, të gjitha janë kotësi e mundim i kotë!

15Çka është e shtrembër, e drejtë nuk ka si të bëhet, dhe çka s’është, s’ka si të numërohet!

16Atëherë i thashë vetvetes: “Ja, unë ia dola ta madhëroj e ta bëj të përparojë urtia më tepër se të gjithë ata që kanë qenë para meje në Jerusalem”.

17Atëherë u dhashë me ngulm për ta njohur urtinë e dijen, çmendurinë dhe marrëzirën, dhe gjeta se edhe në këtë gjë është mund i kotë i shpirtit, sepse:

18në shumë urti ka shumë vuajtje e kush e shton dijen, shton edhe dhimbjet.