Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 31

VIII. THËNIET E LAMUELIT, IX.ZONJA E PËRSOSUR E SHTËPISË, etj.

31 vargje

VIII. THËNIET E LAMUELIT

1Fjalët e Lamuelit, mbretit të Masës, që ia mësoi e ëma:

2Mos biri im! Mos biri i zemrës sime! Mos biri i kushteve të mia,

3mos ua jep grave pasurinë tënde, jetën tënde atyre që i rrënojnë mbretërit!

4Nuk u ka hije mbretërve, o Lamuel, nuk u ka hije mbretërve të pinë verë as princave t’u lakmojnë pijeve të forta,

5sepse, duke pirë, e harrojnë ligjin dhe e tradhtojnë të drejtën e njerëzve të mjerë.

6Jepni pije alkoolike atij që do të sharrojë e verë atyre që e kanë shpirtin në trishtim:

7le të pijë e le ta harrojë mjerimin e vet dhe s’do të kujtohet më për vuajtjen e vet.

8Hape gojën për të mirën e të pagojit e për të gjithë ata që i ka shkelur fati!

9Hape gojën për të gjykuar drejt, jepja të drejtën nevojtarit e skamnorit.

IX.ZONJA E PËRSOSUR E SHTËPISË

Alef

10Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm.

Bet

11Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t’i mungojë.

Gimel

12Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet.

Dalet

13Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta.

He

14Ajo është si anija tregtare që sjell ushqim prej së largu.

Vau

15Ajo zgjohet me natë për t’ua bërë gati robëve të shtëpisë ushqimin e për t’ua caktuar punën shërbëtoreve.

Zain

16Ia lëshon syrin një are? E blen atë. Me frytin e duarve të veta mbjell vreshtin.

Het

17Me fuqi i ngjesh ijët e veta e me forcë i luan krahët në punë.

Tet

18E sheh dobinë e punës së vet dhe dritëza e saj nuk fiket kurrë natën.

Jod

19Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin.

Kaf

20Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua ngjet dorën të mjerëve.

Lamed

21S’e dron të ftohtët e borës për familjen e vet: të gjithë anëtarët e familjes i kanë nga dy palë petka.

Mem

22Për vete ajo punon shtrojë e mbulojë; petkat e saja janë prej liri të hollë e mëndafshi.

Nun

23Burri i saj ndahet në shenjë në Log të kuvendit, kur rri me krerët e vendit.

Samek

24Bën pëlhurë dhe e shet, tregtarit kananeas breza i shet.

Ain

25Është e kërthnestë në shëndet e plot madhëri, e pret të nesërmen me buzë në gaz.

Fe

26Kur hap gojën flet urti, në gjuhën e saj: mësim përshpirtërie.

Sade

27Vëren me kujdes sjelljet e anëtarëve të familjes dhe s’e ha bukën e përtacisë.

Kof

28Bijtë e saj ngriten për ta shpallur të lume e burri i saj e lavdëron e thotë:

Res

29»Shumë gra kanë vepruar burrërisht, por ti ua ke kaluar të gjithave!«

Sin

30Hijeshia është e rreme e bukuria është e kotë: gruaja që e dron Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar!

Tau

31Le t’i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saja!