Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 30

VI. THËNIET E AGURIT, VII. PROVERBAT NUMËRORË

33 vargje

VI. THËNIET E AGURIT

1Fjalët e Agurit, birit të Jacesit, nga Masa. Thëniet e këtij njeriu të drejtuara Itielit për Itielin e për Ukalin.

2Po, vërtet, unë jam më i padijshmi njeri, dija njerëzore nuk rri tek unë.

3Kurrë nuk mësova urti, as s’e njoh mençurinë e shenjtërve.

4Kush u ngjit në qiell e pastaj zbriti? Kush mundi ta mbajë erën në grusht të vet? Kush i bashkoi ujërat në mallotën e vet? Kush i caktoi skajet e dheut? Si e ka emrin ai e si e ka emrin biri i tij, a e di?

5Çdo fjalë e Hyjit është e sprovuar dhe është mburojë për ata që shpresojnë në të.

6Asgjë mos u shto fjalëve të tija që të mos qortohesh e të dalësh rrenacak.

7Të lutem të më japësh dy gjëra, mos m’i moho deri të vdes:

8dëboi prej meje kotësi e gënjeshtër, mos më jep as skam as pasje, më jep vetëm sa më lypet për jetesë;

9sepse, tepër mirë i ngirë, mund të të mohoj e të them: »Kush është Zoti?«, ose, i shtytur nga varfëria e tepërt, të vjell, e kështu ta çnderoj emrin e Hyjit tim.

10Mos iu shpif shërbëtorit para zotërisë së tij, që të mos nëmë e mbi ty të bjerë nëma e tij.

11Ka pjellë të keqe që e mallkon babën e vet dhe që nuk e bekon nënën e vet.

12Pjellë që e mban veten për të pastër e s’është larë nga ndytësia e vet;

13pjellë që, o sa lart i mban sytë e sa fort i lartëson qepallat e veta!

14Pjellë që dhëmbët i ka shpatë e, në vend të dhëmbëve prerës, thika për t’i ngrënë skamnorët e vendit e të vobektit prej mesit të njerëzve.

VII. PROVERBAT NUMËRORË

15Dy bija ka ushunjëza: »Jep, jep!« Tri gjëra nuk ngihen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: »Mjaft!«:

16varri, barku i beronjës, toka që s’ngopet me ujë dhe zjarri që kurrë s’thotë: »Mjaft!«.

17Syrin e atij që përqesh të atin e të atij që nuk e dëgjon të ëmën: ia nxjerrshin korbat e përroit, ia ngrënçin zogjtë e shqiponjës!

18Tri gjëra janë për mua tepër të vështira, madje katër s’i marr aspak vesh:

19udhën e shqiponjës nëpër ajr, udhën e gjarprit nëpër qetë, udhën e anijes nëpër det e udhën e njeriut drejt vajzës së re.

20E tillë është edhe udha e gruas kurorëshkelëse, e cila ha, i fshin buzët dhe thotë: »S’bëra asgjë të keqe.«

21Ja tri gjëra prej të cilave trandet toka, madje katër që s’mund t’i durojë:

22Prej skllavit kur bëhet mbret, prej të marrit kur ngihet bukë,

23prej vajzës djemnueshë kur merret për grua, prej shërbëtores kur zë vendin e gruas.

24Katër kafshë janë shumë të vogla mbi tokë, por janë më të urta se të urtët:

25Thneglat, qenës të pafuqishëm, të cilat verës e bëjnë gati ushqimin për vete;

26vjedullat kafshë të paaftësi, që në zgavrra të shkëmbinjve ndërtojnë banesën;

27karkaleci që mbret s’ka e të gjithë udhëtojnë të rreshtuar;

28hardhuca që kapet me dorë e banon në pallatet e mbretit.

29Tre qenës ecin me madhëri, madje katër janë që kanë ecje të bukur:

30luani, kafsha më e fortë, që s’trembet të ndeshet ballë për ballë me askënd;

31gjeli me ijë të ngjeshura e dashi dhe mbreti kur me vete ka ushtrinë.

32Nëse e dëftove veten të marrë, pasi u mbajte i madh, e nëse u kujtove, vërja dorën gojës:

33sepse kur e tund fort qumështin del tëlyeni, kush tepër u fryen hundëve del gjak dhe kush shkakton grindje nxjerr përçarje.