Të gjithë kapitujt

Predikuesi · Kapitulli 12

Përfundimi

14 vargje

1Kujtoje Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijë koha e vuajtjeve e të afrohen ditët për të cilat të thuash: “Jo, nuk më pëlqejnë më!”;

2para se të errësohen dielli e drita e hëna e yjet, e të kthehen retë pas shiut;

3kur të përkulen rojëtarët e shtëpisë e të gërnusen trimat e fortë, të papunë të mbeten bluesit pse të rralluar, të errësohen shikuesit nëpër vrima,

4të mbyllet dera nga jashtë e bluesit nën zë e të ngriten zogjtë për të cicëruar e kur të meje këndimi i këngëve.

5Atëherë do të tmerrojnë përpjetetë, frikë do të shtjerë udhëtimi. Do të lulëzojë bajamja, zvarrë do të hiqet karkaleci e do të shkatërrohet kaperi, sepse njeriu do të fillohet në shtëpinë e amshimit të vet. Vajtuesit do të enden në sheshe.

6Para se të këputet litari i argjendtë e të copëtohet kandili i artë, të thyhet katrova në krua, të copëtohet qostra përmbi cisternë

7e të kthehet pluhuri në tokën e vet nga erdhi e shpirti të kthehet tek Hyji që e dha.

8Kotësi kotësish, ‑ thotë Kishtari ‑ e gjithçka kotësi.

Përfundimi

9Meqenëse ishte shumë i urtë, Kishtari për më tepër popullit i mësoi dijen; ai peshoi, shqyrtoi dhe përftoi shumë fjalë të urta.

10Kishtari u kujdesua të gjejë thënie të përshtatshme dhe shkroi me përpikëri fjalë të vërteta.

11Fjalët e të urtëve janë si hostenë, porsi gozhda të ngulura shkrimtarët e përmbledhjeve: ato u dhanë nga një bari i vetëm.

12Sa për ato që janë më tepër se kjo, biri im, as mos i kërko: të bëhen shumë libra s’ka asfarë qëllimi e përsiatja e vazhdueshme është mundim i trupit.

13Përfundimi i bisedimit, pasi u dëgjuan të gjitha: Druaje Hyjin e mbaji urdhërimet e tija; sepse në këtë e ka tërë vlerën e vet njeriu.

14E njëmend, Hyji do t’i qesë në gjyq të gjitha veprat e fshehta qofshin ato të mira ose të këqija.