Të gjithë kapitujt

Predikuesi · Kapitulli 3

Gjithçka e ka kohën e vet, 2. Vdekja

22 vargje

Gjithçka e ka kohën e vet

2. Vdekja

1Gjithçka e ka kohën e vet edhe secila punë nën qiell e ka momentin e vet:

2kohë për të lindur e kohë për të vdekur, kohë për të mbjellë e kohë për shkulur çka u mboll,

3kohë për të vrarë e kohë për të shëruar, kohë për të ndërtuar e kohë për të shkatërruar,

4kohë për të qarë e kohë për të qeshur, kohë për të bërë gjëmë e kohë për të kërcyer,

5kohë për të shpërndarë gurë e kohë për t’i mbledhur, kohë për t’u përqafuar e kohë për të mos u përqafuar,

6kohë për të kërkuar e kohë për të humbur, kohë për të ruajtur e kohë për të flakur tej,

7kohë për të qepur e kohë për të shqepur, kohë për të heshtuar e kohë për të folur,

8kohë për të dashur e kohë për të urryer, kohë për të luftuar e kohë e paqes.

9Ç’fitim ka ai që punon prej mundit të vet?

10E shqyrtoj punën që Hyji ua ka dhënë bijve të njerëzve për ta kryer.

11Gjithçka ai bën është e mirë në kohën e vet; por megjithëse ia ka dhënë mundësinë që njeriu ta ketë parasysh gjatësinë e gjërave të krijuara, megjithatë njeriu s’do të mund ta kuptojë veprën që Hyji e bën prej fillimit e deri në mbarim.

12Kuptova se asgjë s’është më mirë për njeriun se të gëzohet e të bëjë mirë gjatë jetës së vet.

13Pastaj, çdo njeri që ha e pi dhe i gëzon të mirat e mundit të vet edhe kjo është dhuratë e Hyjit.

14E kuptoj se të gjitha gjërat që i krijoi Hyji do të qëndrojnë për amshim: ne nuk jemi në gjendje as t’u shtojmë as t’u mungojmë gjë: të gjitha Hyji i krijoi që ta kenë njerëzit frikën e tij.

15Është tani çka ka qenë edhe më parë, çka do të jetë, ka qenë edhe më përpara: Hyji kërkon çka ka kaluar.

16Por unë vura re nën diell edhe këtë: se në vend të së drejtës ka paudhësi dhe në vend të drejtësisë ka padrejtësi.

17Atëherë thashë në zemrën time: “Hyji do t’i gjykojë të drejtin e keqbërësin, sepse është koha për çdo gjë e për çdo veprimtari”.

18Pastaj lidhur me bijtë e njeriut thashë vete me vete: Hyji do t’i vërë në provë e do të dëftojë se ata prej vetvetes janë si bagëtia.

19E vërtet fati i bijve të Adamit e të kafshëve është po i njëjti: siç vdes njeriu vdesin edhe ato. Kanë po të njëjtën frymë jetësore: njeriu s’ka asgjë më tepër se bagëtia, sepse gjithçka është kotësi.

20Gjithçka udhëton drejt të njëjtit vend: gjithçka vjen prej dheut e gjithçka njësoj kthehet në dhe.

21Kush e di se fryma jetësore e bijve të Adamit ngjitet lart e fryma jetësore e bagëtive zbret poshtë në dhe?

22Këndej edhe e mora me mend se s’ka gjë më të mirë për njeriun se ta gëzojë mundin e vet, sepse kjo është fati i tij. E njëmend kush mund t’ia dalë ta bëjë të shohë se çfarë do të ndodhë pas tij?