Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 109

Psalm nëmës

31 vargje

Psalm nëmës

1Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm. O Hyj, nderi im, mos rri në heshtje,

2sepse goja e mëkatarit e goja e dinakut u hap kundër meje. Folën kundër meje me gjuhë ziliqare,

3më rrethojnë me fjalë urrejtjeje, më sulmojnë pa farë arsyeje.

4Dashurinë time e shpërblejnë me shpifje e unë vetëm lutem.

5Të mirën ma kthejnë me të keqe e dashurinë time ma shpaguajnë me urrejtje.

6“Lëshoje kundër tij të paudhin, paditësi le ti rrijë në të djathtë.

7Kur të gjykohet le të dalë i dënuar, lutja e tij në mëkat iu ktheftë.

8Ditët e tija iu pakofshin, shërbesën e tij e marrtë një tjetër!

9Fëmijët e tij mbetshin jetimë, gruaja e tij vejushë.

10Të bijtë iu bëfshin endacakë e lypës, u dëbofshin jashtë rrënojës së tyre!

11Kamatari ia rrëmbeftë pasurinë, të huajt ia përpifshin frytin e mundit të tij!

12Askush për të mos pastë dhemshuri, askujt mos iu dhimbshin fëmijët e tij!

13Dera e tij me ferra u mbylltë, në brezin e parë emri iu harroftë!

14Zoti e pastë gjithnjë para sysh fajin e të parëve të tij, mos u shleftë as mëkati i nënës së tij.

15Para syve të Zotit qofshin përherë dhe e zhduktë nga toka kujtimin e tyre!”

16Sepse askurrë s’u kujtua të bëjë mëshirë, por e përndoqi skamnorin e lypësin, deri në vdekje e ndiqte njeriun zemërpërvëluar.

17E deshi mallkimin - mbi të rëntë; s’e deshi bekimin - kurrë mos e pastë!

18Me mallkim u vesh porsi me petk: e përshkoftë si uji në përmbrendësat e tija, porsi vaji në eshtrat e tij!

19Iu bëftë porsi petku me të cilin mbulohet, porsi brezi me të cilin ngjeshet!

20Këtë shpagim paçin para Zotit paditësit e mi, ata që flasin keq kundër shpirtit tim.

21E ti, o Zot, o Zot, sillu me mua sipas Emrit tënd: më shpëto sepse e mirë është mëshira jote,

22se unë jam nevojtar e skamnor, sepse e plagosur është zemra ime në mua.

23Mbarova porsi hija kur shkon në të sosur, më dëbojnë si të isha karkalec!

24Gjunjët po më lëshojnë prej agjërimit, mishi im u tha pa pikën e dhjamit.

25Përqeshje për ta unë u bëra, tundin kokën kur mbi mua shikojnë.

26Më ndihmo, o Zot, Hyji im, më shpëto në saje të mëshirës sate,

27le ta dinë se kjo është dora jote: se ti, o Zot, e bëre këtë vepër!

28Ata le të mallkojnë, por ti beko; le të turpërohen ata që më salvojnë, kurse shërbëtori yt le të gëzohet!

29I mbuloftë turpi shpifësit e mi, le të mbulohen si me llahik me turpin e vet!

30Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, në sheshin e burrave do ta nderoj,

31sepse Ai i rri në të djathtë skamnorit, për ta shpëtuar nga gjykatësit shpirtin e tij.