Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 147

Himn Hyjit të gjithëpushtetshëm

20 vargje

Himn Hyjit të gjithëpushtetshëm

1ALELUJA! Lavdërojeni Zotin, sepse është mirë, është bukur t’i këndosh Hyjit tonë, është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!

2Zoti e rindërton Jerusalemin, i bashkon izraelitët e mërguar!

3Ai i shëron zemrat e copëtuara, i lidh plagët e tyre!

4Ai e njeh numrin e yjeve dhe e thërret secilin me emër.

5I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm, e pakufishme është dija e tij.

6Zoti i lartëson të përvuajturit, kurse përdhe i shtron keqbërësit.

7Këndojani Zotit këngën e falenderimit, bini harpës për nder të Hyjit tonë!

8Ai me re e mbulon qiellin dhe ia përgatit dheut shiun. Bën të rritet maleve bari edhe bimë për të mirën e njeriut.

9Ai u jep ushqime bagëtive, deri edhe zogjve të korbave kur ia kërkojnë.

10Si jep rëndësi fuqisë së kalit, s’i merr parasysh kërçikët e trimit:

11Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

13Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, i bekoi bijtë e tu në ty!

14Ai ua siguron kufijve të tu paqen, ai të ushqen me palcën e grurit.

15Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

16E hedh borën porsi lesh, e derdh brymën porsi hi.

17E lëshon breshrin porsi kafshatë, kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?

18E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, çon erën e vet e ujërat rrjedhin.

19Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

20Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta. Aleluja!