Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 18

Këngë falënderimi e mbretit

51 vargje

Këngë falënderimi e mbretit

1Mjeshtrit të korit. E shërbëtorit të Zotit, Davidit, që ia drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge, kur Zoti e kishte shpëtuar nga pushteti i të gjithë armiqve të tij

2dhe nga dora e Saulit. Ai tha: Të dua, o Zot, fuqia ime!

3Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime, Streha ime, Shpëtimtari im! Perëndia im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

4Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

5Më rrethuan valët e vdekjes, më tmerruan përrenjtë e Belialit,

6më lidhën leqet e Nëntokës, po më shtrëngonin prangat e vdekjes:

7atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, kushtrim i lëshova Hyjit tim: nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!

8Toka u trand edhe u tund, u lëkundën themelet e maleve, vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!

9Nëpër vrima të hundës tym ngufoi, prej gojës zjarr e flakë buçiti, prush i gjallë prej tij flakëroi!

10I uli qiejt, poshtë zbriti, nën këmbë re të murrme!

11Kaluar mbi kerubin fluturoi, lundroi mbi krahët e erërave!

12Si me vel me errësirë u mbështoll, tenda e tij - errësirë uji, re përmbi re,

13para fytyrës së tij zhdukeshin retë me breshër e prush të gjallë!

14Gjëmat e motit qiellit gjëmuan: i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: breshër e prush zjarri!

15I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.

16Atëherë u dukën burimet e ujërave, u zbuluan themelet e rruzullit prej qortimit tënd, o Zot, prej erës së frymës të hidhërimit tënd.

17Shtriu dorën prej majës e më mori, më nxori nga ujërat e shumta,

18më shpëtoi nga armiku i fortë, prej atyre që më urrenin, që ishin më të fortë se unë.

19Më sulmuan në ditën më të keqe, por Zotin e pata krah,

20Ai më qiti në vendin e shpëtimit, më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

21Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, më shpërbleu sipas pastërtisë së duarve të mia,

22sepse unë i mbajta udhët e Zotit, nuk u largova prej Hyjit tim.

23Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.

24Jam i pastër para syve të tij, sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.

25Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, sepse e pa pastërtinë e duarve të mia.

26Ti je i mirë me njeriun e mirë, me të pafajshmin je i pafajshëm,

27me të mbrapshtin ti je i zgjuar.

28Ti e shpëton popullin e përvuajtur, e krenarët i bën t’i ulin sytë.

29O Zot, ti e ndez dritëzën time, ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.

30Me ty do ti sulmoj turmat e armiqve, me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.

31Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.

32Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?

33Hyji që më ngjesh me fuqi, që e bën udhën time të pastër.

34Ai mi dha këmbët e shpejta si të drerëve, ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.

35Ai mi ushtron duart për luftim e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.

36Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, e djathta jote më ndihmoi, mirësia jote më rriti.

37Ti i zgjeron hapat e mi nën mua e këmbët e mia më nuk më merren.

38I ndiqja armiqtë e mi e i zija, mbrapa nuk ktheja derisa i shfarosja.

39I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, rrëzoheshin nën këmbët e mia.

40Ti më ngjeshe më fuqi për luftë, kurse armiqtë e mi i vure nën mua.

41Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, kurse ata që më urrejnë i shpërndave.

42Dhanë kushtrimin, por askush si shpëtoi, thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj.

43I grimcova porsi pluhurin para erës, i shkela porsi baltën e rrugës.

44Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, prijës më bëre ndër popuj paganë: më shërbeu populli që as nuk e njihja!

45Fjalën time e dëgjojnë me poni, bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,

46para meje të huajt tremben, u dridhën në strehimet e veta.

47Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

48Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! Ti i shtron popujt nën mua, ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,

49ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, ti më shpëton prej njeriut të dhunshëm.

50Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!

51Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, e përkrah të shuguruarin e vet, Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!