Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 22

Vuajtjet dhe shpresat e të drejtit

32 vargje

Vuajtjet dhe shpresat e të drejtit

1Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Shuta në agim”. Psalm. I Davidit.

2O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!

3Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.

4E, pra, ti je Shenjti që banon në lavditë e Izraelit.

5Në ty shpresuan etërit tanë, shpresuan e ti i shpëtove!

6Ty të thirrrën në ndihmë e gjetën shpëtim, në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!

7Vërtet unë jam krimb e jo njeri, turpësi e njerëzve, përbuzje e popullit.

8Gjithkush më shikon, më përqesh, shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

9“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

10E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.

11Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, që kur më mbante nëna, ti je Hyji im.

12Mos qëndro larg meje sepse rreziku është afër e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.

13Më rrethuan dema të shumtë, mëzetërit e Basanit më qarkuan,

14përmnershëm e hapin gojën e vet në mua si luani që shqyen e ulërin.

15Si uji u derdha, m’u zbërthyen eshtrat, m’u bë zemra porsi dylli, shkrihet brenda kraharorit tim;

16porsi tjegull mu tha qiellza, gjuha më ngjitet për gurmaz: e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.

17Më rrethuan qen me shumicë, turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah. M’i shporuan duart e këmbët

18mund ti numëroj të gjithë eshtrat e mi, e këta më shikojnë e nuk mi ndajnë sytë.

19Petkat e mia ndër vete i ndajnë e mbi petkun tim qesin short.

20Por ti, o Zot, mos rri larg meje, fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

21Ma shpëto jetën prej shpatës, prej dorës së qenit të vetmen të mirë që kam!

22Më shpëto prej gojës së luanit, prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.

23E unë do tua shpall vëllezërve Emrin tënd, do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

24“Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë, mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,

25sepse nuk e përbuzi as se qiti në harresë mjerimin e skamnorit, nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi”.

26Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.

27Do të hanë skamnorët e do të ngihen, do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’

28Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti mbarë skajet e tokës, do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.

29Sepse Zoti është mbret! Ai i sundon kombet!

30Atë, vetëm atë do ta adhurojnë të gjithë ata që pushojnë nën dhe, para tij do të përmbysen të gjithë ata që kthehen në pluhur. Kurse shpirti im për të do të jetojë,

31në shërbim të tij do të jetë fara ime, breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin,

32për drejtësinë e tij do ti tregohet popullit që vjen: “Kështu bëri Zoti”!