Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 27

Përbri Hyjit nuk ka frikë

14 vargje

Përbri Hyjit nuk ka frikë

1I Davidit. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë? Zoti është mbrojtësi i jetës sime, para kujt do të dridhem?

2Kur më sulen keqbërësit për të më ngrënë gjallë, kundërshtarëve të mi e armiqve të mi, ora u liget dhe rrëzohen.

3Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë kundër meje: zemra nuk më trembet, le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; edhe atëherë jam plot shpresë.

4Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë ia kërkoj që të jetoj në Shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime, që ta shijoj kënaqësinë e Zotit e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

5Zoti më fsheh në tendën e vet në ditë të vështirë, më strehon në vend të fshehtë të tendës së vet, më ngre lart mbi qetë.

6E tani e lartësoj kokën mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, do t’i këndoj Zotit këngë hareje.

7Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

8Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time”! “Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj”.

9Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd! Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!

10Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, por Zoti më mori ndore.

11Ma trego, o Zot, udhën tënde dhe më drejto shtegut të drejtë për shkak të armiqve të mi!

12Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rremë, të cilët shfryjnë dhunë.

13Besoj se do ti shijoj të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve.

14Shpreso në Zotin: bëhu burrë! Ji zemërfortë e prite Zotin!