Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 4

Lutja e mbrëmjes, Urata e mbrëmjes

9 vargje

Lutja e mbrëmjes

Urata e mbrëmjes

1Mjeshtrit të korit. Për istrumente me korda. Psalm. I Davidit.

2Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! Ti që më shpëtove në vështirësi: ki mëshirë për mua e ma dëgjo lutjen!

3Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? Përse e doni kotësinë e ndiqni gënjeshtrën?

4Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.

5Zemërohuni e mos mëkatoni, përsiatni në zemrat tuaja, në shtrojat tuaja e qetësohuni.

6Flijoni fli drejtësie e shpresën kijeni në Zotin!

7Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë”? Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!

8Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!

9Posa bie në shtrojë gjumi menjëherë më merr në qetësi, sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.