Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 46

Zoti është me ne

12 vargje

Zoti është me ne

1Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Me melodi: “Virgjërat...” Këngë.

2Hyji është për ne strehim dhe fuqi, ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.

3Prandaj as s’do të trembemi edhe nëse lëkundet toka dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!

4Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tija, le të dridhen malet në furinë e tij!

5Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, tendat e shenjta të të Lartit Zot.

6Hyji është brenda nuk do të tronditet askurrë, Hyji i ndihmon heret në agim.

7Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, bubulloi Zoti, toka u shkri!

8Zoti i Ushtrive është me ne, strehimi ynë, Hyji i Jakobit!

9Ejani e shikoni veprat e Zotit - mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!

10Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, mburojat në zjarr do t’i djegë.

11Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, i madhërueshëm mbi popuj, i madhërueshëm mbi tokë!

12Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, strehimi ynë, Hyji i Jakobit.