Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 48

Sioni, mali i shenjtë i Hyjit

15 vargje

Sioni, mali i shenjtë i Hyjit

1Këngë. Psalm. I bijve të Koreut.

2I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm, në qytetin e Hyjit tonë!

3Mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur, gëzimi i mbarë botës: Mali Sion, në veriun e skajshëm, Qyteti i Mbretit të madh,

4Hyji në pirgjet e tija u tregua kështjellë e pathyeshme.

5Dhe ja, u bashkuan mbretërit, sulmuan së bashku,

6posa panë, u rrudhën, e, të hutuar, ikën praptazi.

7Aty i kapën të dridhurat si dhimbjet e lindëses,

8ishin si stuhia e lindjes që i thyen anijet e Tarsisit.

9Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim, në qytetin e Zotit të Ushtrive, në qytetin e Hyjit tonë - Hyji e themeloi për amshim.

10Po e kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e Tempullit tënd.

11Sikurse Emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi.

12Le të galdojë mali i Sionit, le të brohorisin qytetet e Judës për shkak të gjyqeve të tua!

13Silluni rreth e rreth Sionit, përshkojeni kryq e tërthor, numërojani kullat e tija,

14vëreni mirë muret e tija, vëzhgoni hollë pallatet e tija që të mund ti tregoni breznisë së ardhshme:

15Ky është Hyji, Hyji ynë për amshim e në shekuj të shekujve; Ai na prin në amshim.