Të gjithë kapitujt

Romakëve · Kapitulli 16

Përshëndetje personale, Doksologjia - Lavdia Hyjit

26 vargje

Përshëndetje personale

1Po jua porosis Febën, motrën tonë [e] që është diakonesa e kishës së Kenhreut.

2Pranonie në Zotin si u ka hije shenjtërve dhe ndihmoni në gjithçka të ketë nevojë për ju, sepse edhe ajo ka qenë mbrojtëse për shumëkënd si dhe për mua.

3Përshëndetni Priskën e Akuilën, bashkëpunëtorët e mi në Jezu Krishtin,

4të cilët, për të ma shpëtuar jetën e kanë vënë kryet e vet në gërshërë. I falënderoj, jo unë vetëm, por edhe të gjitha kishat e paganëve.

5Përshëndetne kishën që bashkohet në shtëpinë e tyre. Përshëndetne edhe Epenetin, të dashurin tim, frytin e parë të Azisë për Krishtin.

6Të fala edhe Marisë, që aq fort është munduar për ju.

7Të fala edhe Andronikut e Junies, kushërinjve të mi dhe shokëve të burgut; ata janë të përmendur ndër apostuj dhe kanë qenë para meje të Krishtit.

8Të fala Ampliatit, të dashurit tim në Zotin.

9Të fala edhe Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin, po edhe Stakës, të dashurit tim.

10Të fala edhe Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala edhe Aristobulajve.

11Të fala edhe Herodionit, kushëririt tim. Të fala edhe Narcisajve, që janë në Zotin.

12Përshëndetni edhe Trifenën dhe Trifozën, të cilat veprojnë për Zotin. Të fala edhe Persidës së dashur, e cila ka vuajtur shumë për Zotin.

13Të fala edhe Rufit, të zgjedhurit në Zotin edhe nënës së tij dhe simes.

14Të fala edhe Asinkritit, Flegontit, Ermes, Patrobit, Ermanit dhe vëllezërve që janë me ta.

15Të fala edhe Filologut dhe Julisë, Nereut e motrës së tij e Olimpës dhe të gjithë shenjtërve që janë me ta.

16Përshëndetni njëri-tjetrin me të puthur të shenjtë. Ju përshëndesin të gjitha kishat e Krishtit.

17Ju lutem, o vëllezër, të ruheni prej atyre që shkaktojnë përçarje dhe shkanduj në dëm të mësimit në të cilin jeni mësuar: rrini larg tyre!

18Sepse të tillët nuk i shërbejnë Krishtit, por barkut të vet dhe, me fjalë të bukura e të ëmbla, gënjejnë zemrat e njerëzve të thjeshtë.

19Zëri i dëgjesës suaj ka arritur gjithkund. Sa për ju, pra, jam shumë i gëzuar e dëshiroj të jeni të urtë për sa i përket së mirës e të jeni të pastër nga çdo e keqe.

20Hyji, autori i paqes, do ta dërmojë për së shpejti djallin nën këmbët tuaja. Hiri i Jezusit, Zotit tonë, qoftë me ju!

21U përshëndet Timoteu, bashkëpunëtori im, edhe Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinjtë e mi.

22U përshëndes në Zotin edhe unë Terci, që e shkrova këtë letër.

23U bën të fala Gaji, mikpritësi im dhe i mbarë kishës. Të fala u bën Erasti, arkëtari i qytetit edhe vëllai Kuarti.

Doksologjia - Lavdia Hyjit

25Atij që mund t’ju forcojë - simbas Ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, simbas zbulesës së Misterit, të mbajtur fshehur për kohë të amshuara,

26por tani të shfaqur dhe, me anë të shkrimeve të profetëve, me urdhër të Hyjit të amshuar, të lajmëruar mbarë popujve paganë për t’i sjellë në dëgjesën e fesë -

27Një të vetmit Hyj, të Gjithëdijshmit, i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi në shekuj të shekujve. Amen.