Të gjithë kapitujt

1 e Korintasve · Kapitulli 1

Përshëndetje dhe falënderim, Përçarjet në kishën e Korintit, etj.

31 vargje

Përshëndetje dhe falënderim

1Pali, për vullnet të Hyjit i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni,

2Kishës së Hyjit që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të grishurve të jenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonë.

3Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht!

4Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus,

5sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka - në çdo fjalë e në çdo dije.

6Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit,

7sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

8Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit (Krisht).

9Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Përçarjet në kishën e Korintit

10Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime.

11Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.

12Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë: »Unë jam i Palit!« »Unë i Apolit!« »Unë i Kefës!« »Unë jam i Krishtit!«

13Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit?

14E falënderoj Hyjin që, me përjashtim të Krispit e të Gajit, nuk pagëzova asnjë ndër ju,

15që askush të mos mund të thotë se u pagëzuat në emër tim.

16E po, paskam pasë pagëzuar edhe familjen e Stefanës! Sa më kujtohet, nuk kam pagëzuar tjerë.

17Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.

Krishti, fuqia dhe urtia e Hyjit

18E njëmend, predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit.

19Sepse është në Shkrim shenjt: ‘Do ta asgjësoj dijen e të dijshmëve, do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.’

20Ku është i dijshmi? Ku është mësuesi i Ligjit? Ku është shqyrtuesi i kësaj bote? Pse, a nuk e bëri Hyji marri urtinë e botës?

21Për të vërtetë, pasi bota me urtinë e vet nuk e njohi Hyjin me anë të dijes së zbuluar prej Hyjit, i pëlqeu Hyjit, me marrinë e predikimit t’i shëlbojë besimtarët.

22E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti,

23ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar - për hebrenj shkandull e për paganë marri,

24kurse për të grishurit - si për hebrenj si për grekë - Krishtin - fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit.

25Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.

26Jo, po, vëllezër, pleqëroni kush jeni ju që e morët thirrjen e Hyjit? S’ka ndër ju shumë të dijshëm për sy të njerëzve, as shumë të fuqishëm, as shumë bujarë!

27Por, Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortit;

28dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, mu edhe ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë,

29në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit.

30Po, Ai bëri »që ju të jeni« në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim,

31sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Kush mburret, le të mburret në Zotin.’