Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 10

Qeverimi, Kundër krenarisë, etj.

34 vargje

Qeverimi

1Qeveritari i mirë e edukon popullin e vet e qeverimi i të arsyeshmit është i qëndrueshëm.

2Si të jetë qeveritari, të tillë janë edhe ministrat; si të jetë kryetari i qytetit, të tillë do të jenë edhe qytetarët.

3Mbreti i marrë e rrënon popullin e vet, qytetet përparojnë sipas urtisë së krerëve.

4Në duart e Hyjit është pushteti mbi tokë, dhe në kohë të duhur ia ngrit sundimtarin e vyer.

5E mbara e njeriut është në duart e Hyjit, mbi personin e ligjdhënësit e vë nderin e vet.

Kundër krenarisë

6Për asnjë fyerje të afërmit mos iu hakmerr, dhe mos bëj asnjë veprim madhështie.

7Krenaria është e urrejtshme para Hyjit e para njerëzve, për të dy është e neveritshme çdo nëpërkëmbje.

8Mbretëria kalon nga një popull në tjetër për shkak të padrejtësive, të dhunës e të pasurisë së padrejtë.

9S’ka gjë më të mbrapshtë se dëshirimi i kamjes, koprraci edhe shpirtin e vet e ka për ta shitur.

10Pse krenohet dheu e hiri? Sepse edhe për së gjalli i hedh përbrendësat e veta!

11Sëmundja e gjatë e mërzit mjekun, sëmundja e shkurtër e kthjellon mjekun.

12Çdo pushtet e ka të shkurtër jetën: kështu edhe mbreti sot është e nesër vdes.

13Kur njeriu të vdesë do të trashëgojë gjarpërinj, egërsira e krimba.

14Fillimi i krenarisë së njeriut është rënia prej Hyjit;

15zemra e tij largohet prej Krijuesit të vet. Sepse fillimi i çdo mëkati është krenaria, kush jepet pas saj, vlon me mallkime e në fund sharron prej saj.

16Prandaj Zoti mrekullisht i ndëshkon të këqijtë dhe krejtësisht i zhduk.

17Hyji i rrafshoi selitë e prijësve krenarë e i vendosi në vend të tyre të përvuajturit.

18Hyji i çrrënjosi rrënjët e kombeve krenare, e në vend të tyre mbolli të përvuajturit.

19Zoti i rrafshoi tokat e paganëve dhe i rrënoi deri në themele.

20I thau disa prej tyre dhe i shpërnguli, e bëri të harrohet kujtimi i tyre nga toka.

21Hyji e zhduki kujtimin e krenarëve dhe e ruajti kujtimin e të përvuajturve të vetdijshëm.

22Nuk qe krijuar krenaria për njerëz as hidhërimi për të lindurit nga gruaja.

Njerëzit e denjë për nderim

23Cila dorë njerëzish është e nderuar? Ajo që e druan Hyjin! Kurse s’do të nderohet ajo dorë njerëzish që i shkapërcen urdhërimet e Zotit.

24Mes vëllezërve nderohet prijësi i tyre; ata që e druan Zotin janë të nderuar para tij.

25Endacaku, ardhacaku e skamnori: frika e Hyjit është mburrja e tyre!

26Mos e përbuz skamnorin e drejtë e mos e madhëro mëkatarin e pasur.

27Kryetari, gjykatësi e sundimtari duhen nderuar, por s’ka më të madh se ai që e druan Hyjin.

28Skllavit të urtë i shërbejnë të lirët, njeriu i urtë e i ditur nuk nynykat kur të jetë qortuar.

Përvujtëria dhe e vërteta

29Mos shit mend kur kryen punën tënde e mos u lëvdo kur të jesh ngusht.

30Më i mirë është ai që punon e ka gjithçka se ai që mburret e s’ka bukë.

31Bir, me përvujtëri jepi nder vetes dhe ushqeje e nderoje veten sipas meritës.

32Kush do ta shfajësojë atë që vetvetes i bën të keqen? Kush do ta nderojë atë që vetveten e çnderon?

33Ka skamnor që nderohet pse është i ditur e i ndershëm, ka edhe njeri që nderohet pse është i pasur.

34Kush nderohet në skamje aq më tepër do të nderohet në pasuri! Kush snderohet në pasuri, aq më pak në skamje!