Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 11

Mos i beso pamjes së jashtme, Mos i beso dukës së jashtme, etj.

36 vargje

Mos i beso pamjes së jashtme

Mos i beso dukës së jashtme

1Urtia e të përvuajturit e bën lart ta mbajë kokën dhe e bën të rrijë mes të mëdhenjve.

2Mos e lëvdo njeriun për bukurinë e tij, as mos e përbuz pse s’është i pashëm.

3E vogël është bleta ndër kafshët fluturuese, por fryti i saj ka epërsinë mbi ëmbëlsira.

4Kurrë mos u mburr për petkat e tua, as mos u kreno kur të jesh nderuar, sepse vetëm veprat e të Tejetlartit janë të mrekullueshme, e megjithatë janë të fshehta e të papashme veprat e Tija prej njerëzve.

5Shumë mbretër ndenjën në pluhur e, një tjetër që s’pritej, mbarti kezën.

6Shumë pushtetmëdhenj qenë mposhtur pa masë e shumë të shquar ranë në pushtet të tjetërkujt.

Peshim e maturi

7Para se ta kesh pyetur askujt mos i bërtit, pasi ta kesh pyetur, qortoje drejt.

8Para se të kesh dëgjuar, mos përgjigj e mos u përziej ndërsa mbahet fjalimi.

9Për atë çështje që ty nuk të përket, mos bëj grindje e mos merr pjesë në gjyq të mëkatarëve.

10Bir, mos merr mbi vete tepër shumë punë, nëse ngutesh s’do të jesh pa faj: sado që të ngutesh, nuk do të arrish dhe s’do t’ia dalësh të shpëtosh me ikje.

11Ka njeri që mundohet, ngutet e vret veten: e megjithatë s’ia del të begatet.

Shpresa vetëm në Hyjin

12Ka njeri të gjorë, që ka nevojë për ndihmë, përmëtepër të pafuqi, të pasur me skamje,

13por syri i Hyjit e shikon me mirësi, e ngrit prej mjerimit të tij, e lartëson kokën e tij: dhe shumëkushi mbetet i habitur.

14E mira dhe e keqja, jeta e vdekja, skamja e kamja prej Hyjit vijnë.

15Urtia e kuptimi e njohja e Ligjit te Zoti janë, dashuria, veprat e dashurisë janë prej Tij.

16Gabimi e terri kanë qenë krijuar për mëkatarët, ata që krenohen për të këqija, plaken në të këqija.

17Dhurata e Hyjit qëndron me të përshpirtshmit dhe përkrahja e Tij përparon përgjithmonë.

18Dikush pasurohet në fuqi të kursimit dhe ja, shpërblimi i tij:

19thotë një ditë: “Tanipo pushoj, tani do të ha vetëm të mirat e mia”,

20e s’di se koha kalon, vdekja afrohet, e do ti lërë të gjitha të tjerëve e do të vdesë.

21Qëndro në detyrën tënde dhe kryeje me kujdes e plaku në plotësimin e detyrave të tua.

22Mos u lakmo veprave të mëkatarëve; shpreso në Hyjin e kryeje punën tënde,

23sepse punë e lehtë është për Hyjin papritmas ta bëjë të pasur skamnorin.

24Bekimi i Hyjit është shpërblim i vazhdueshëm i të drejtit dhe në një moment të shpejtë lulëzon përparimi i tij.

25Mos thuaj: “Për çka kam nevojë e ç’të mira të tjera më lypen pas tashit?”

26Mos thuaj: “Kam gjithçka mjaft! Çe keqe tjetër mund të më gjejë?”

27Në të mira mos i qit në harresë të vështirat e në të vështira mos i qit në harresë të mirat,

28sepse lehtë e ka Hyji ditën e vdekjes të shpërblejë secilin sipas jetës së tij.

29Mjerimi i një çasti bën të harrohet mirëqenia dhe vdekja e njeriut i zbulon veprat e tija.

30Para vdekjes askënd mos e mbaj të lum, sepse në fund të jetës njihet njeriu.

Mos ki besim në njeriun e keq

31Mos shtjer gjithkënd në shtëpinë tënde, sepse të shumta janë dredhitë e të keqit.

32Sikurse rropullitë lëshojnë erë të rëndë, sikurse fëllënza joshëse në kafaz, porsi sorkadhja në lak, ashtu është zemra e krenarëve, porsi spiuni vëren rënien e të afërmit.

33Shpifësi të mirën e shndërron në të keqe i njollos edhe njerëzit e virtytshëm.

34Nga një shkëndijë e vetme bëhet prushi, prej njeriut të keq bëhen gjaqe; njeriu mëkatar bëhet pusi për vrasje.

35Ruaju kolerësjellësit se djerron të keqen që rastësisht të mos njollosë me njollë të përhershme.

36Pranoje në shtëpi të huajin e do të të pështjellojë gjithçka, do të të bëjë të huaj për njerëzit e tu.