Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 24

Lavdërim urtisë, Urtia e Ligji

47 vargje

Lavdërim urtisë

1Lavdi urtisë. Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet,

2në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij:

3lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë,

4lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet e do të thotë:

5“Kam dalë prej gojës së të Tejetlartit, e parëlindura para të gjitha krijesave.

6Unë bëra që në qiell të lindë drita e pashqimtë e porsi mjegulla e mbulova mbarë tokën.

7Në lartësitë qiellore ngula banesën time dhe troni im në shtyllën e resë.

8Vetëm e përshkova rrethin qiellor, depërtova deri në fund të oqeanit,

9qëndrova mbi valët e detit e kudo mbi tokë;

10kam përparësinë mbi çdo popull e çdo komb,

11sundoj mbi zemrat e të shquarve e te përvuajturve. Në të gjithë këta kërkova pushim: kujt t’i bëhem trashëgim?

12Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime

13duke më thënë: Ngule banesën ne Jakob e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi.’

14Që në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të pushoj të jem askurrë!

15Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem.

16Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve.

17U lartësova porsi cedri në Liban, porsi selvia në malin Hermon.

18U rrita porsi palma në Engadi dhe porsi trëndafiloret në Jerik.

19Porsi ulliri i bukur në lugina, u rrita porsi rrapi në breg të lumit, në sheshe.

20Si cinamomi e balsami erëzues dhashë erë të mirë, dhashë erë të këndshme porsi mirra e dorës së parë,

21porsi storaksi, galbani, si vaji i mirrës, i aloesë dhe porsi era e Libanit në Tendën e shenjtë.

22Porsi terebentina i hapa degët e degët e mia degë nderi e hiri.

23Porsi hardhia bulëzova hijeshinë e lulet e mia lidhin fryte nderi e ndershmërie.

24Unë jam nëna e dashurisë së bukur, e frikës, e dijes dhe e shpresës së shenjtë.

25Në mua është hiri i çdo udhe të vërtetë, në mua është çdo shpresë jete e virtyti.

26Ejani tek unë të gjithë ju që më dëshironi e do të mbusheni me të mirat e mia.

27Mësimi im është më i ëmbël se mjalti, më i ëmbël se mjalti në hoje,

28kujtimi im në jetë të jetës.

29Ata që më hanë, përsëri do të kenë uri, ata që më pinë, përsëri do të kenë etje.

30Kush më dëgjon mua, nuk do të turpërohet, kush i kryen veprat e mia, kurrë nuk do të gabojë.

31Kush më ndriçon mua, do ta ketë jetën e pasosur”.

Urtia e Ligji

32E gjithë kjo është Libri i Besëlidhjes së të Tejetlartit,

33Ligji që na e ka urdhëruar Moisiu si trashëgim shtëpisë së Jakobit.

34I dha Davidit, shërbëtorit të vet, të ngritë prej tij një mbret tejet të fortë, që të rrijë përherë mbi fronin e nderit.

35Ligji është përplot me urti si Fisoni me ujë, porsi Tigri në ditët e pranverës,

36bën të vërshojë aftësia mendore si Eufrati, porsi Jordani në kohën e të korrave,

37e zgjeron disiplinën porsi Nili ujin porsi Gehoni në kohën e të vjelave.

38S’ia doli i pari ta marrë vesh plotësisht, as i fundit s’do të mund ta shqyrtojë sa duhet.

39Mendimi i tij është më i begatë se deti, trillimet me të thella se oqeani.

40Unë, urtia, i zbraza lumenjtë,

41jam porsi kanali i ujërave të shumta të lumit, porsi ujësjellësi i sjellë ndër kopshte.

42Thashë: “Do ta ujis kopshtin tim me të mbjella, do ti ngij me ujë lulishtet e mia.”

43Dhe, ja, e bëra një kanal në lumë dhe lumi im erdhi e u bë det.

44Do ta bëj të ndriçojë mësimi im si agimi, do ta bëj të ndriçojë larg e larg.

45Do të përshkoj tokën në të gjitha pjesët e poshtme, do t’i mbikëqyr të gjithë ata që flejnë, do t’i ndriçoj të gjithë ata që shpresojnë në Zotin.

46Mësimin do ta ndikoj porsi profecinë dhe do t’ua lë breznive të ardhshme e s’do të sosem në breznitë e tyre për amshim.

47Shikoni: s’u mundova vetëm për vete, por për të gjithë ata që e kërkojnë.