Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 36

Lutje për çlirimin e rilindjen e Izraelit, Uratë për çlirimin e rilindjen e Izraelit, etj.

28 vargje

Lutje për çlirimin e rilindjen e Izraelit

Uratë për çlirimin e rilindjen e Izraelit

1Ki mëshirë për ne, o Hyji i gjithësisë, lëshoje shikimin tënd mbi ne dhe na e trego dritën e mëshirave të tua

2dhe përshkoji me frikën tënde të gjithë paganët që nuk të kërkojnë ty, me qëllim që ta kuptojnë se s’ka tjetër Hyj përveç Teje e t’i shpallin veprat e madhërishme të tuat.

3Ngrije dorën tënde mbi kombet e huaja që ta shohin pushtetin tënd.

4Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë, ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre,

5që ta kuptojnë, siç e kuptuam edhe ne, se s’ka tjetër Hyj përveç teje, o Zot.

6Përtërij shenjat e përsëriti mrekullitë,

7jepi lavdi dorës dhe forcoje krahun e djathtë,

8zgjoje zemërimin e flakë ndize hidhërimin,

9shtroje kundërshtarin e zhduke armikun!

10Shpejto kohën e mos e harro synimin e amshueshëm e le të përmenden mrekullitë e tua.

11Le ta përpijë flaka e hidhërimit atë që mundohet të shpëtojë e le të sharrojnë të gjthë ata që e marrin me të keq popullin tënd.

12Thërmoje kokën e princave të armikut që thonë: “Përveç nesh s’është askush tjetër”!

13Bashkoji të gjitha fiset e Jakobit, ktheju pronat si në fillim.

14Ki mëshirë për popullin tënd që quhet me emrin tënd, për Izraelin që e bëre të parëlindurin tënd.

15Kij dhimbje për Qytetin tënd të shenjtë, për Jerusalemin, vendin e pushimit tënd.

16Mbushe Sionin me madhërinë tënde e me lavdinë tënde Tempullin tënd.

17Jepu dëshmi krijesave të tua të para, plotësoji parakallëzimet e thëna në Emrin tënd.

18Shpërbleji ata që shpresojnë në ty, që të vërtetohen fjalët e profetëve të tu. Dëgjoji lutjet e shërbëtorëve të tu

19sipas mirësisë sate për popullin tënd. Na drejto udhës së drejtësisë që ta dinë të gjithë banuesit e tokës se ti je Hyji i amshueshëm.

Ndryshimet

20Lukthi bluan çdo ushqim, megjithatë një ushqim është më i mirë se tjetri;

21qiellza e dallon me shije egërsirën e mendja e kthjellët fjalët e rreme.

22Zemra e keqe shkakton trishtim, por njeriu me përvojë di si duhet kthyer.

Zgjedhja e gruas

23Gruaja pranon çdo burrë, por njëra vajzë është më e mirë se tjetra.

24Bukuria e gruas e gëzon fytyrën e burrit të vet, dhe i tejkalon të gjitha dëshirat e njeriut.

25Po nëse përveç kësaj ka edhe gjuhë të kujdesshme, të ëmbël e të mëshirshme, burri i saj s’është si një vdekatar i thjeshtë.

26Kush e ka gruan e mirë, ka më të madhen pasuri, ndihmë të përshtatshme e shtyllë mbështetëse.

27Ku nuk ka gardh, vreshti vidhet, kush nuk ka grua, është endacak i trishtuar.

28Kush i beson atij që se ka çerdhen e vet dhe strehohet aty ku e zë nata, si cubi i shkathët që endet nga qyteti në qytet?