Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 37

Miqtë e rremë, Këshilltarët, etj.

34 vargje

Miqtë e rremë

1Çdo mik thotë: “Edhe mua më ke mik!”, por ka mik që është i tillë vetëm me emër. Vallë, a s’është trishtim që i afrohet vdekjes,

2kur shoku dhe miku të shndërrohet në armik?

3O prirje e keqe, nga e krijove, për të mbuluar terikun me të keqe e me dredhi?

4Shoku i gëzohet mikut në mirëqenie, kurse në ditë të vështirë i bëhet kundërshtar.

5Shoku bashkëvuan me mikun për shkak të barkut, por përballë luftimit merr mburojën.

6Mos e harro mikun e zemrës sate dhe mos e harro kur të bëhesh i pasur.

Këshilltarët

7Mos u këshillo me atë që të vë pritë, fshehe synimin tënd prej atij që ta ka smirë.

8Çdo këshilltar jep këshilla, por ka këshilltar që këshillon për të mirën e vet.

9Ruhu prej atij që të jep këshilla, më parë heto ç’nevojë mund të ketë - sepse ai jep këshillë në interes të vet-

10ndoshta ta ka vënë syrin e të thotë:

11“Je udhës së drejtë!”, e rri kundruall për të parë çka do të ndodhë.

12Mos u këshillo me njeri smirëzi, e prej atij që ta ka smirë, fshehe synimin tënd; as me gruan për rivalen e saj, as me frikacakun për luftë, as me tregtarin për tregti, as me blerësin për shitje, as me të ziliqarin për mirënjohje,

13as me të patenzonin për përshpirtëri, as me të pandershmin për nder, as me përtacin për veprimtari,

14as me mëditësin vjetor për mbarimin e vitit, as me shërbëtorin përtac për veprimtari të madhe: mos u mbështet në ta për asnjë këshillë.

15Por vazhdimisht qëndro me njeri të përshpirtshëm, me atë që e di se i mban urdhërimet,

16shpirti i të cilit është si shpirti yt e që, kur të mbetësh në errësirë, ti dhimbsesh.

17Ndiqe me ngulm këshillën e zemrës sate, sepse s’ke askënd më besnik se atë.

18Shpeshherë ndërgjegjja e njeriut i përkujton të vërtetën më mirë se shtatë vrojtarë që vëzhgojnë nga pirgu i lartë.

19E mbi të gjitha lutju të Tejetlartit që ta drejtojë udhën tënde në të vërtetën.

Urtia e vërtetë dhe e rreme

20Para çdo vepre: fjala e vërtetë e para çdo pune: shqyrtim i palëkundshëm.

21Rrënja e këshillit është zemra nga e cila dalin katër dega: e mira dhe e keqja, jeta dhe vdekja, kurse gjuha është zotëruesja e tyre vazhdimisht.

22Ka njeri - mësues të ditur për të tjerët, por krejtësisht të padobishëm për vetvete.

23Prapë, një tjetër është fjalëmbarë, por i neveritshëm: të tillit do t’i mungojë edhe buka e gojës,

24sepse nuk i ka qenë dhuruar hiri prej Zotit dhe i mungon urtia në përgjithësi.

25Ka edhe të urtë për vetvete dhe fryti i mençurisë së tij mbetet mbi të.

26I urti e mëson popullin e vet, frytet e mençurisë së tij janë të sigurta.

27I urti mbushet me bekime dhe të gjithë ata që e shohin, e shpallin të lum.

28Jeta e njeriut i ka ditët e numëruara, ndërsa ditët e Izraelit janë të panumërta.

29I urti fiton besim në popullin e vet dhe emri i tij do të jetojë përgjithmonë.

Përkorja

30Bir, sa të jesh gjallë vëre në provë jetën tënde e shiko çfarë i bën dëm: mos ia jep!

31Jo të gjitha të gjithëve u bëjnë mirë dhe jo secilit njeri gjithçka i pëlqen.

32Mos ji grykës në asnjë gjë që të ka shije dhe mos u sul me grykësi në asnjë ushqim,

33sepse ushqimi i tepërt shkakton sëmundje, papërkorja shkakton lëbarken.

34Për shkak të grykësisë shumë vdiqën, kurse kush përmbahet, e zgjat jetën.