Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 8

Mençuria e maturia, Gojëdhëna, etj.

22 vargje

Mençuria e maturia

1Mos u grind me pushtetarin që rastësisht të mos biesh në duar të tija.

2Mos u grind me njeri të pasur, që rastësisht të mos e vërë kundër teje peshën tënde:

3sepse shumëkënd e ka humbur ari, paraja e prish edhe zemrën e mbretërve.

4Mos u grind me njeri gjuhëgjatë dhe mos shto dru në zjarrin e tij.

5Mos bëj llafe me njeri të trashë që të mos përbuzen të parët e tu.

6Mos e përbuz njeriun që u kthye nga mëkati as mos e shaj: mos harro se të gjithë jemi fajtorë.

7Mos e përbuz njeriun në pleqërinë e tij, sepse edhe prej nesh do të jenë nga ata që plaken.

8Mos u gëzo për vdekjen e armikut tënd: mos harro se të gjithë do të vdesim e s’dëshirojmë që ndokush t’i gëzohet vdekjes sonë.

Gojëdhëna

9Mos i përbuz fjalët e pleqve të urtë, por përsiati fjalët e urta të tyre,

10sepse prej tyre do të mësosh urtinë e hollësinë mendore për t’u shërbyer aftësisht të mëdhenjve.

11Të mos të shkojnë hupës bisedat e pleqve, sepse ata i mësuan prej të parëve të vet;

12sepse prej tyre do të mësosh mprehtësinë e mendjes dhe dhënien e përgjigjeve në kohën e duhur.

Maturia

13Mos u fryj gacave të mëkatarëve që të mos digjesh në flakën e zjarrit të mëkateve të tyre.

14Mos u kap ballë për ballë me njeriun fyes që të mos vërë lak me fjalët e tua.

15Mos i huazo njeriut më të fortë se ti; nëse i huazon gjë, mbaje si ta kesh humbur.

16Mos hyr dorëzanë mbi mundësitë e tua; nëse hyn dorëzanë, mbaje veten për kthyes.

17Mos u grind me gjykatës, sepse do të gjykojë sipas pëlqimit të vet.

18Mos bëj rrugë me njeriun që se peshon rrezikun që të mos i shtosh të vështirat e tua: sepse ai vepron sipas hamendjes së vet dhe do të sharrosh bashkë me marrinë e tij.

19Me njeriun frymës ruaj se grindesh as mos shko me të në vend të pabanuar, sepse për të tillin s’do të thotë asgjë të derdhë gjak e, ku s’ka kush të ndihmojë, të vret.

20Me të marrët mos u këshillo, sepse ata s’do të mund ta ruajnë fshehtësinë tënde.

21Para të huajit mos bëj asgjë që duhet të mbetet e fshehtë, sepse nuk di se çka mund të ndodhë.

22Mos ia zbulo gjithkujt zemrën tënde që rastësisht të mos ia humbasësh vetes të mirën.