Të gjithë kapitujt

Veprat e Apostujve · Kapitulli 21

Pali në Jerusalem, Pali i bën vizitë Jakobit, etj.

40 vargje

Pali në Jerusalem

1Si u ndamë prej tyre, hymë në barkë. Duke lundruar drejt, arritëm në Kos, të nesërmen në Rod, e prej andej në Patarë.

2Pasi gjetëm një barkë që udhëtonte për Fenici, hipëm në të dhe morëm shpinën e detit.

3Kur dolëm përballë Qipros, e lamë në krahun e majtë e vazhduam për Siri. Zumë vend në Tir, se anijes i duhej të shkarkonte mallrat.

4Pasi i gjetëm nxënësit, u ndalëm aty shtatë ditë. Ata, të nxitur prej Shpirtit Shenjt, i thoshin Palit të mos ngjitej në Jerusalem.

5Porse, kur kaluan ditët, vazhduam udhën. Na përcollën të gjithë me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit. Në breg të detit u ulëm në gjunjë dhe u lutëm.

6U përshëndetëm, hipëm në barkë e ata u kthyen në shtëpitë e veta.

7Kështu i dhamë fund lundrimit: prej Tirit arritëm në Ptolemaidë. I përshëndetëm vëllezërit dhe zumë vend një ditë me ta.

8Të nesërmen u nisëm për rrugë dhe mbërritëm në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filipit ungjilltar, që ishte një nga të Shtatët, dhe zumë vend tek ai.

9Ky kishte katër vajza virgjëresha, të cilat kishin dhuratën e profecisë.

10Gjatë qëndrimit tonë shumëditor aty, prej Judeje zbriti një profet që quhet Agab.

11Ky erdhi ndër ne, mori brezin e Palit, lidhi këmbët e duart e veta dhe tha: “Kështu thotë Shpirti Shenjt: njeriun, brezi i të cilit është ky, çifutët po kështu do ta lidhin në Jerusalem dhe do t’ua dorëzojnë paganëve.”

12Kur i dëgjuam këto fjalë, si ne ashtu edhe vendasit, filluam t’i lutemi Palit që të mos shkojë në Jerusalem.

13Pali u përgjigj: “Pse po qani e po ma copëtoni zemrën? Unë jam gati, jo vetëm që të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për shkak të Emrit të Jezusit Zot.”

14E pasi s’mundëm t’ia mbushnim mendjen, s’iu vumë më gjatë e thamë: “U bëftë vullneti i Zotit.”

15Pas këtyre ditëve, u bëmë gati dhe po ngjiteshim në Jerusalem.

16Bashkë me ne erdhën edhe disa nxënës nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e një farë Mnasoni, nga Qiproja, nxënës i vjetër, që të banojmë tek ai.

Pali i bën vizitë Jakobit

17Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim.

18Të nesërmen Pali, bashkë me ne shkoi te Jakobi, ku u mblodhën të gjithë udhëheqësit.

19Pasi i përshëndeti, filloi t’u tregojë një nga një gjithçka kishte bërë Hyji me shërbesën e tij ndër paganë.

20Ata, kur dëgjuan, i dhanë lavdërim Hyjit. Atëherë i thanë Palit: “Ti po sheh, o vëlla, se me mijëra hebrenj e kanë pranuar fenë e të gjithë janë ithtarë të flaktë të Ligjit.

21Ata kanë dëgjuar për ty se ti i mëson hebrenjtë që jetojnë ndër paganë t’i bien mohit Moisiut dhe se ti thua se s’duhet t’i rrethpresin fëmijët as t’i mbajnë traditat e të parëve.

22Pra, çka të bëjmë? Me siguri do të dëgjojnë se ke ardhur.

23Bëj, pra, ç’po të themi! Këtu ndër ne janë katër vetë që janë kushtuar.

24Merri me vete e bashkë me ta kryeje ritin e pastrimit. Paguaj ti çka lypet për qethjen e kresë. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se çka dëgjuan për ty s’është e vërtetë, por përkundrazi, se edhe ti je në të drejtën dhe se e mban Ligjin.

25E, për sa u përket paganëve të kthyer në fe, ne ua patëm dërguar çka vendosëm: të ruhen nga mishi i kushtuar idhujve, prej gjakut e prej mishit të bagëtive të furura e të mbytura në ujë dhe prej fëlligështisë.”

26Të nesërmen Pali i mori me vete ata njerëz, kreu bashkë me ta ritin e pastrimit, hyri në Tempull, caktoi ditën e fundit të pastrimit, kur për secilin prej tyre do të kushtohej flia.

Palin e arrestojnë në Tempull

27Kur këto shtatë ditë po merrnin fund, disa hebrenj prej Azisë e hetuan Palin në Tempull, çuan peshë mbarë dhe e kapën

28duke bërtitur: “Kushtrim, izraelitë! Ja, njeriu që gjithkund mëson gjithkënd kundër popullit tonë, kundër Ligjit dhe kundër këtij Vendi. Për më tepër i ka futur edhe grekët në Tempull dhe e ka dhunuar këtë Vend të shenjtë!”

29Sepse e kishin parë bashkë me të në qytet Trofimin prej Efesit dhe mendonin se Pali do ta kishte futur në Tempull.

30Mbarë qyteti u përzie dhe populli ngarendi prej çdo ane. E kapën Palin, e hodhën jashtë Tempullit dhe menjëherë i mbyllën dyert.

31Ndërsa ata po donin ta vrisnin, shkoi lajmi te tribuni i kohortës se mbarë Jerusalemi është ngritur në kryengritje.

32Tribuni menjëherë mori ushtarët dhe centurionët e shkoi tek kryengritësit. Këta, kur e panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.

33Atëherë iu afrua tribuni e kapi dhe urdhëroi të lidhet me dy palë hekura. Pastaj nisi të pyesë kush është dhe çka ka bërë.

34Prej turmës dikush bërtiste një gjë, dikush një tjetër. E pasi prej zhurmës s’mund të merrte vesh gjë të sigurt, dha urdhër të çohej në kështjellë.

35Kur Pali ngjiti shkallët, u desh që ushtarët ta mbartnin para duarsh për shkak të shtyrjes së popullit;

36sepse turma e popullit i shkonte pas dhe bërtiste: “Vritie!”

Pali mbron vetveten

37Në atë çast kur po e shtinin në kështjellë, Pali iu drejtua tribunit: “A kam leje të të them diçka?” “Po a di ti greqisht? ‑ iu përgjigj tribuni ‑

38Pse, a s’je ti ai egjiptiani, që para disa ditësh çoi në kryengritje e mori pas vetes në shkretëtirë ata katër mijë thikëtarë?”

39Pali iu përgjigj: “Unë jam hebre nga Tarsi i Cilicisë qytetar i qytetit të përmendur. Po të lutem më lejo t’ia them këtij populli dy fjalë.”

40Kur ai i dha leje, Pali, prej shkallëve, me dorë i dha shenjë popullit e, kur u bë heshtje e plotë, foli hebraisht: