Të gjithë kapitujt

Zakaria · Kapitulli 3

Vegimi i katërt: petkat e Jezuait, Ardhja e “Pinjollit”.

10 vargje

Vegimi i katërt: petkat e Jezuait

1Atëherë ma dëftoi kryepriftin Jezua në këmbë para engjëllit të Zotit. Në të djathtën e tij rrinte Satani për ta paditur.

2Engjëlli i Zotit i tha Satanit: “Të t’u kërcënoftë Zoti, o Satan! Të të mposhtë Zoti që e zgjodhi Jerusalemin! Pse a nuk është ky urë e nxjerrë nga zjarri?”

3Jezuai ishte i veshur me petka të ndyta dhe qëndronte në këmbë para engjëllit.

4Ky u tha atyre që qëndronin para tij: “Hiqjani petkat e ndyta!” Edhe vazhdoi dhe i tha atij: “Ja, e hoqa prej teje fajësinë; po të vesh me petka të linjta!”

5E vazhdoi: “Vërjani në kokë rizën e pastër!” Ata ia vunë rizën e pastër në kokë dhe e veshën me petka. Ndërkaq engjëlli i Zotit qëndronte në këmbë.

6Atëherë engjëlli i Zotit i tha Jezuait:

7”Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Nëse do të ecësh udhëve të mia, nëse do ta zbatosh shërbesën time, ti do ta sundosh shtëpinë time, do jesh rojtari i tremeve të mia e do të bëj të rrish me këta që janë këtu pranë.”

Ardhja e “Pinjollit”.

8“Dëgjo, kryeprifti i madh Jezua! Ti edhe miqtë e tu që rrinë përreth teje, sepse janë njerëz: shenjë parakallëzuese: Ja, pra, unë po e sjell shërbëtorin tim Pinjollin.

9Dhe, ja, gurin që po e vë para Jezuait: mbi këtë gur janë shtatë sy, dhe në të do ta zgavërroj mbishkrimin ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive. E do ta zhduk në një ditë të vetme fajësinë e këtij vendi.

10Po se atë ditë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ secili do ta thërrasë mikun e vet nën hardhi e nën fik.”