Të gjithë kapitujt

Zakaria · Kapitulli 4

Vegimi i pestë: shandani dhe ullinjtë, Tri fjalë për Zorobabelin

14 vargje

Vegimi i pestë: shandani dhe ullinjtë

1Atëherë u kthye engjëlli që fliste me mua dhe më zgjoi siç zgjohet njeriu nga gjumi.

2Ai më tha: “Çka sheh?” I përgjigja: “Ja, po shoh: ja, një shandan krejt prej ari dhe në majë të tij filtari, mbi të edhe shtatë dritëzat e tija e shtatë hinkat e dritëzave që janë mbi majën e tij.

3Përmbi të janë dy ullinj: njëri në të djathtën e filtarit e tjetri në të majtën e tij.”

4Unë vazhdova e i thashë engjëllit që fliste me mua: “Ç’do të thonë këto gjëra, Imzot?”

5M’u përgjigj engjëlli që fliste me mua e më tha: “Pse a nuk e di se çka janë këto?” I thashë: “Jo, Imzot!”

Tri fjalë për Zorobabelin

6Vazhdoi pastaj e më tha: “Ja, fjala e Zotit për Zorobabelin: Jo me ushtri as me fuqi, por me shpirtin tim ‑ thotë Zoti i Ushtrive.

7Çka je ti, o mal i madh? Para Zorobabelit rrafshinë do të bëhesh! Ai do ta nxjerrë gurin kryesor me brohoritje: Oh, sa i bukur!”

8Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

9”Duart e Zorobabelit ia hodhën themelet kësaj Shtëpie dhe duart e tija do t’i japin fund! E ju do ta merrni vesh se Zoti i Ushtrive më ka dërguar te ju.

10Kush guxoi ta përbuzë ditën e fillimeve të pakreni? Do të galdojnë kur ta shikojnë plumçin në dorën e Zorobabelit! Ato shtatë dritëza janë sytë e Zotit që shqyrtojnë mbarë tokën!”

11Atëherë vetë e mora fjalën e pyeta: “Çka shënojnë këta dy ullinj në të djathtën e në të majtën e shandanit?”

12E mora fjalën të dytën herë e thashë: “Po çka janë ata dy gema ulliri që nëpër dy gypa të artë ndikojnë prej vetes ar?”

13Ai m’u përgjigj: “Pse a nuk e di se çka janë ata?” Thashë: “Jo, Imzot!”

14Ai më tha: “Këta janë dy të shuguruarit që janë në shërbimin e Zotëruesit të mbarë tokës.”