Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 13

Ndarja e Abramit dhe e Lotit

18 vargje

Ndarja e Abramit dhe e Lotit

1Abrami prej Egjiptit u kthye në Nageb e bashkë me të edhe gruaja e tij me gjithë ç’kishte dhe Loti.

2Abrami ishte shumë i pasur. Kishte bagëti, argjend dhe ar.

3Mandej prej tëbanishte në tëbanishtë, prej Nagebit shkoi në Betel, deri në atë vend ku më parë kishte ngulur çadrën ndërmjet Betelit e Hajit,

4në vendin e lterit që kishte ndërtuar më parë dhe aty e thirri në ndihmë emrin e Zotit.

5Por edhe Loti, që e përcillte Abramin, kishte shumë grigja dhensh dhe shumë gjedhe e çadra:

6sikur të jetonin bashkë, as vendi nuk mund t’i zinte: sepse kishin gjë të madhe e nuk mund të jetonin bashkë.

7Këndej edhe shpërtheu grindja ndërmjet barinjve të grigjave të Abramit me barinjtë e grigjave të Lotit. Aso kohe në atë vend jetonin kanaanët e ferezenjtë.

8Prandaj, Abrami i tha Lotit: »Të lutem, të mos grindemi unë e ti ndër veti, të pushojnë grindjet ndërmjet barinjve të mi e barinjve të tu: sepse jemi vëllezër!

9A nuk e ke parasysh tërë këtë vend? Ndahu prej meje, po të lutem! Nëse ti do të shkosh në të majtën, unë do të marr të djathtën; nëse ti do të zgjedhësh të djathtën, unë do të shkoj në të majtën.«

10Loti i çoi sytë dhe shikoi e pa se krejt lugina e Jordanit, që e tëra ujitej - para se Zoti ta shpartallonte Sodomën e Gomorrën - ishte si kopshti i Zotit dhe sikurse Egjipti, deri në Segor.

11Loti e zgjodhi për vete mbarë krahinën e Jordanit dhe shkoi në lindje; kështu u ndanë njëri prej tjetrit.

12Abrami jetoi në dheun e Kanaanit, kurse Loti zuri vend në qytete të luginës së Jordanit dhe çoi çadrat deri në Sodomë.

13Sodomasit ishin njerëz shumë të këqij dhe mëkatarë të mëdhenj para Zotit.

14Zoti i tha Abramit, pasi Loti u nda nga ai: »Çoji sytë e tu dhe nga vendi ku je tash, shiko drejt kah veriu e jugu e drejt kah lindja e perëndimi:

15Krejt tokën që po e sheh, do ta jap ty dhe farës sate për jetë e mot.

16Farën tënde do ta shtoj porsi pluhurin e tokës: ai që do të mund ta numërojë pluhurin e tokës, ai do ta numërojë edhe farën tënde.

17Çohu dhe bjeri tokës për së gjati dhe për së gjeri, sepse do ta jap ty.«

18Abrami e çoi çadrën e vet e erdhi dhe e nguli te Qarret Mambre, që janë në Hebron. Aty e ndërtoi një lter në nder të Zotit.