Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 20

Abrahami në Gerarë

18 vargje

Abrahami në Gerarë

1Abrahami u çua prej andej në drejtim të Nagebit dhe nguli të banojë ndërmjet Kadesit e Surit, dëbanishtoi në Gerarë.

2Tha për Sarën, gruan e vet: »Është motra ime.« Abimeleku, mbreti i Gerarës, çoi dhe e mori.

3Por, Hyji i erdhi Abimelekut natën në ëndërr dhe i tha: »Do të vdesësh për shkak të gruas që more, sepse ajo e ka burrin.«

4Abimeleku ende nuk e kishte prekur. Dhe tha: »O Zot! A do t’i zhbish edhe njerëzit e pafajshëm?

5Po a nuk më tha ai vetë: ‘Është motra ime’, po ashtu edhe ajo: ‘Është im vëlla’? Bëra kështu në thjeshtësinë e zemrës sime e me duar të pafajshme.«

6Dhe Hyji i tha atij në ëndërr: »Edhe unë e di se veprove me ndërgjegje të dëlirë dhe prandaj të ruajta që të mos mëkatosh kundër meje dhe nuk lejova ta prekësh.

7Tash ktheja burrit të saj gruan, sepse ai është profet. Ai do të lutet për ty dhe ti do të jetosh. Por, nëse nuk do ta kthesh, dije se do të vdesësh ti dhe të gjithë të tutë.«

8Abimeleku u çua menjëherë, me natë, i thirri të gjithë shërbëtorët e vet dhe i vuri në dijeni për gjithçka që i tha Hyji. Njerëzit u frikësuan për së tepërmi.

9Abimeleku e thirri edhe Abrahamin dhe i tha: »Çka na bëre kështu? Me çka rashë në mëkat kundër teje, që ti të ma sjellësh mua dhe mbretërisë sime një mëkat kaq të madh? Bëre me mua, si nuk duhej të bëje.«

10Dhe i tha përsëri: »Çka deshe ti duke vepruar kështu?«

11Abrahami i përgjigji: »Mendoja më vete: ‘Me siguri në këtë vend nuk do të ketë frikë të Hyjit dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime’.

12Ndryshe ajo është edhe motra ime, sepse është e bija e tim ati, por jo e sime ëmë dhe e mora për grua.

13Kur Hyji më bëri të endem larg nga vendi i tim ati, unë i thashë asaj: ‘Bëje këtë mirësi për mua: në çdo vend që të hyjmë, thuaj se jam yt vëlla.’«

14Abimeleku mori dhen e dhi, lopë, shërbëtorë e shërbëtore dhe ia dha Abrahamit. Duke ia kthyer Sarën, gruan e tij,

15i tha: »Ja, para syve e ke tokën time, bano kudo që të pëlqejë!«

16Kurse Sarës i tha: »Ja, po ia jap vëllait tënd një mijë sikla argjendi; të jetë kjo për ty si vel para syve të të gjithëve që janë me ty dhe si shfajësim para tyre.«

17Abrahami iu lut Zotit dhe Hyji e shëroi Abimelekun, gruan e tij dhe shërbëtoret, dhe ato lindën;

18sepse Zoti i kishte bërë beronja të gjitha gratë e shtëpisë së Abimelekut për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.